E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Të ulen tensionet politike

02/06/2011  Komisioni Amerikan i Helsinkit

Kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në Shqipëri, Jonathan Stonestreet, ka prezantuar në Komisionin Amerikan të Helsinkit në Senatin e SHBA-së raportin paraprak mbi votimet e 8 majit në Shqipëri. Në seancën e djeshme ku është diskutuar mbi ecurinë e procesit elektoral, problemet me numërimin e votave dhe paqëndrueshmërinë politike në Shqipëri, Stonestreet ka raportuar një sërë problemesh që kanë shoqëruar situatën postzgjedhore në Shqipëri. “Që në fillim të fushatës nga partitë politike në Shqipëri pati disa vonesa, ndërsa u ngritën akuza ndaj anëtarëve të KQZ-së duke krijuar mosbesim tek ky institucion që në fillim të proçesit”,- raportoi Stonestreet.

Ndërsa, KAH-ja e vlerëson tensionin politik që po shoqëron situatën paszgjedhore në Shqipëri, si vazhdim i krizës politike të nisur që nga viti 2009, dhe për këtë arsye Komisioni i ka kërkuar partive politike më të mëdha në vend PS-PD që të bëjnë një hap prapa, pasi zgjedhjet janë për fitimin e besimit të publikut. Komisioni i Helsinkit ka bërë thirrje që të luftohet klinetelizmi politik në vend. “Partia Demokratike dhe Partia Socialiste të bëjnë një hap pas. Zgjedhjet janë për fitimin e besimit të publikut, ndaj duhet luftuar klientelizmi politik”,- u theksua në seancën e sotme të Komisionit të Helsinkit. Ndërsa në lidhje me vendimin e KQZ-së për të numëruar votat e kontenstuara nga nëntë KZAZ të Tiranës, kreu i misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it ka theksuar faktin se baza ligjore e votave është e paqartë, pasi KQZ-ja ka marrë vendimm pa dhënë shpjegim dhe kjo ka shkaktuar reagimin e opozitës, e cila për ditë me radhë protestoi para dyerve të këtij institucioni. “KQZ për një vendim kaq të rëndësishëm duhet të kishte dhënë në fillim shpjegimin dhe më pas të merrte vendimin dhe jo e kundërta.” – është shprehur dje Stonestreet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›