E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa shqiptarë, mes bosëve që organizonin trukimet e ndeshjeve

02/06/2011  Skandali në Itali, skema e manipulimeve dhe roli i shqiptarëve “porositës”

ITALI- Në superskandalin e fundit të futbollit italian, ku ndeshjet trukoheshin me urdhër të bosit të organizatës së mirëfilltë kriminale, duket se s’ mund të rrinin pa u përzier edhe shqiptarët, të cilët kanë pasur pjesën e tyre të fitimeve marramendëse. Lajmi mësohet nga agjencia e lajmeve ANSA, si dhe media të tjera lokale italiane, të cilat japin detaje shokuese rreth këtij aktiviteti që kishte në krye bomberin Beppe Signori, ish-trajner i Lacios, teksa numri i të prangosurve ka shkuar në 28 persona. Arrestimet janë kryer nga policia në qytetet: Bari, Como, Bologna, Rimini, Pescara, Ancona, Ascoli, Ravenna, Benevento, Roma, Torino, Napoli dhe Ferrara. U kryen kontrolle në banesat e të akuzuarve, ku në listë ka edhe emra biznesmenësh të fuqishëm. Hetuesi Guido Salvini deklaroi se janë lejuar mijëra përgjime telefonash, ku është saktësuar edhe skema e funksionimit të këtij rrjeti. Hetimet kishin nisur qëkur një portier ishte larguar nga ndeshja me pretendimin se nuk ndihej mirë. Janë trukuar ndeshje të serisë A, B, dhe ligave inferiore. Një grup pasanikësh i ishin afruar fillimisht ish-yllit Beppe Signori, duke i ofruar qindra mijëra euro për trukimin e ndeshjeve. Ish-sulmuesi kësisoj dyshohet se ka “rekrutuar” futbollistë të tjerë në këtë rrjet. Një ndër drejtuesit e organizatës ishte Almir Gegic, shtetas sllovak. Ai bënte pjesë në komunitetin rom që renditej i pari influent në këtë skandal, por fill vijnë shqiptarët që ofronin shuma të majme. Shtetasi Ismet Mehmeti, 53 vjeç, nga Peqini, njoftohet se është mes të arrestuarve. Ai ka përfituar më 27 mars një shumë prej 100 mijë eurosh nga një bast i vendosur prej tij në Shqipëri për ndeshjen Siena-Asasolo, e cila ishte blerë. Ndërkaq, u arrestua edhe drejtori sportiv i Ravenës, Giorgio Buffone, si dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë shqiptar. Ishte pikërisht i riu shqiptar që mbante lidhjet me Buffonen dhe bastexhinjtë. Për skandalin kanë reaguar edhe VIP-at e futbollit italian. Vetë Beppe Signori ka thënë “Mëshirë, tregohuni të mëshirshëm”, kurse Gigi Buffon, kapiteni i kombëtares italiane u shpreh se “Nuk duhej të ndodhte në këtë moment, megjithatë të presim”. Pirlo e Matri e cilësuan gjithë këtë si një “shpifësirë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›