“Raporti amerikan konfirmon rezultate të qarta dhe të qëndrueshme të ekzekutivit”
Ministria e Brendshme vlerëson raportin e DASH mbi trafikimin e qenieve njerëzore
Ministria e Brendshme u shpreh dje se raporti i fundit i DASH për trafikun e qenieve njerëzore në Shqipëri, rikonfirmon vullnetin e hekurt të Qeverisë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe sukseset e arritura gjatë vitit 2009.
Zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi deklaroi se ky raport, sikundër edhe të tjerë nga vende partnere, konfirmojnë rezultatet e qarta dhe të qëndrueshme të ekzekutivit dhe institucioneve të tjera shqiptare në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
“Raporti vlerëson gjithashtu masat e marra nga qeveria shqiptare për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit në përputhje me Mekanizmin Kombëtar të Referimit. Duke përshëndetur vlerësimet e këtij raporti, rikonfirmojmë vullnetin e plotë dhe angazhimin maksimal për të konsoliduar edhe më tej luftën dhe arritjet kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, u shpreh zëvendësministrja Zajmi.
Lidhur me komentet e opozitës, zëvendësministrja Zajmi tha se Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen e thellë për interpretimin abuziv të këtij raporti nga z. Rama dhe e konsideron këtë një vazhdim të agresionit të z. Rama kundër heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.
“Me këtë rast përsëris thirrjen ndaj Edi Ramës për të hequr dorë nga ky agresion kundër interesave jetike të qytetarëve shqiptarë, siç është liberalizimi i vizave”, deklaroi ndër të tjera zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi.