E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-Meksikë, kufiri i vdekjes, çdo ditë humb jetën një person

Që prej dhjetë vjetësh, më shumë se një emigrant klandestin në ditë, në përgjithësi latino-amerikan, humb jetën në përpjekje për të hyrë ilegalisht nga Meksika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse në vitet 2007-2008, numri i emigrantëve që kalonin kufirin SHBA-Meksikë u përgjysmua si pasojë e krizës ekonomike, këtë vit viktimat kanë qenë 416. Me këto ritme ka shumë mundësi që të kalohet rekordi i "zi" me 494 të vdekur në vitin 2005. Ky përfundim tragjik ka dalë nga raporti i hartuar nga "American Civil Liberty Union" (ACLU) në San Diego dhe Agjencia e të Drejtave Njerëzore Meksikane. "Është një krizë humanitare me përmasa tragjike që kërkon hartimin e politikave të reja nga ana e qeverive", thuhet në raport. Ato që vrasin klandestinët janë kryesisht malet dhe shkretëtirat e Arizonës dhe Teksasit. Shumica e tyre vdesin në këto zona nga uria apo etja sapo kalojnë kufirin. Ashtu si ndodh në Europë klandestinët u paguajnë shifra marramendëse për transportin grupeve të trafikantëve të paskrupullt, por braktisen sapo kapërcejnë kufirin. Drejtuesit amerikanë të doganave tregojnë se viktimat janë të shumta. Që nga viti 1998, numri i tyre shkon në 4111. Është e pamundur të kontrollosh 3 mijë kilometra vijë kufitare. ACLU dhe Agjencia e të Drejtave Njerëzore Meksikane kërkojnë hartimin politikave të reja nga të dyja vendet ku të përfshihen: rritja e numrit të emigrantëve të ligjshëm; shoqëritë humanitare të lejohen të kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi për klandestinët në dy anët e kufirit dhe vënien në dispozicion të një numri emergjence.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›