E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbush 65 vjeç, dhuratë nga ministrat

 

Kryeministri Sali Berisha ka festuar dje 65 vjetorin e lindjes. Kreu i Qeverisë ka marrë dhjetëra tufa me lule nga miqtë e tij dhe stafi në Kryeministri, por një dhuratë e veçantë i ka ardhur nga ministrat e kabinetit qeveritar. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në kryeministri, ministrat i dhuruan kreut të qeverisë një pllakë argjendi me fjalët “One Man with Courage makes a Majority” (një burrë me kurajo bën shumicën). Një dedikim ky mjaft aktual edhe përsa i përket situatës politike, teksa kryeministri Berisha përmes një marrëveshje me LSI-në arriti të formojë shumicën në Kuvend pas zgjedhjeve të 28 qershorit, megjithëse mori vetëm gjysmën e deputetëve të Kuvendit. Në këtë shkëmbim urimesh, Kryeministri Berisha i falënderoi ministrat për kontributin dhe mbështetjen që ata i kanë dhënë gjatë këtyre viteve për realizimin e reformave të ndërmarra së bashku dhe i siguroi ata se katër vitet e ardhshme do të jenë edhe më të suksesshëm. Më pas, Kryeministri Berisha ka pritur një grup nxënësish dhe studentësh, përfaqësues të shkollave e universiteteve të ndryshme, të cilët i uruan gjithashtu 65 vjetorin e tij të lindjes. Ndërkohë, pasditen e djeshme deputetët e PD-së kishin përgatitur një tjetër dhuratë për kryeministrin Berisha. Në nisjen e seancës parlamentare kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i dhuroi një shportë me trëndafila të bardhë, në emër edhe të së gjithë deputetëve të maxhorancës. Nga ana e tij kreu i Qeverisë nuk i ndali batutat as për këtë rast. “Faleminderit për urimin që më bëtë, ndonëse siç kam theksuar ditëlindjet i festoj njëherë në dhjetë vjet. Nuk më kanë mbetur edhe aq shumë, edhe katër të tjera në këtë kalendar. Pastaj të shohim”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›