E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Pakti me Greqinë, PS nxit ksenofobinë

 

Pas akuzave të Partisë Socialiste dhe disa ish-zyrtarë lidhur me marrëveshjen me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar, reagon Ministria e Jashtme. Kreu i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta i ka quajtur spekulime dhe keqinformim të opinionit publik të gjitha deklaratat mbi dokumentin që pritet të votohet në Parlament. Ai premtoi se gjatë miratimit të marrëveshjes do të bëhet transparenca mbi hartimin e saj si dhe do t’i jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve, siç i quajti zv/kryeministri, deklaratat e fundit që bëjnë thirrje kundër ratifikimit. “Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme, që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, rikthen frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikën rajonale të paqes dhe stabilitetit që Shqipëria në vazhdimësi ka ndjekur në rajon, duke synuar cenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes vendit tonë dhe Greqisë”, theksoi Meta. Ministri i Jashtëm i bëri thirrje opozitës të ndjekë rrugën institucionale për të hedhur dritë mbi marrëveshjen, teksa i kërkoi asaj që të distancohet nga frymëzimet ekstremiste që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. I pyetur nëse LSI do të votojë pro miratimit të marrëveshjes, Meta tha se: “Të jeni të sigurt se në Parlament do të marrin përgjigje të gjitha shqetësimet si dhe të gjitha spekulimet dhe falsifikimet që po ngrihen mbi këtë çështje. Eshtë e drejta e kujtdo të thotë çfarë të dëshirojë, sepse ne jemi në vend demokratik, por opozita i ka të gjitha mundësitë institucionale për të ngritur shqetësimet e saj dhe për të kontribuar për transparencën e kësaj çështjeje”.

PS: Ministria të bëjë publike hartat
Partia Socialiste ka kërkuar që Ministria e Jashtme të bëjë tashmë publike hartat e marrëveshjes detare me Greqinë. Këtë deklaratë e ka bërë deputetja e PS-së, Olta Xhaçka. Në një prononcim për mediat pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, deputetja e PS-së tha se, “i kërkojmë Ministrisë së Punëve të Jashtme të publikojë hartat e marrëveshjes shumë shqetësuese për kufijtë detarë me Greqinë”. “Injorantët dhe bashibozukët e oborrit të Familjes në Pushtet, të cilat kanë përgatitur për arsye ende shumë të errëta një marrëveshje aspak normale me vendin fqinj, nuk mundet as të ndalojnë popullin shqiptar të njihet me këtë marrëveshje, as të ndalojnë Partinë Socialiste të kërkojë llogari deri në fund për interesat kombëtare dhe as të dëmtojë urën e miqësisë që na lidh me Greqinë e me popullin grek”, u shpreh deputetja socialiste gjatë një prononcimi për mediat përpara Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›