Flutura Kola, përfaqësuese e firmës së Damir Fazlliçit në Porto Romano
Habjon Hasani
Tiranë - Juristja Flutura Kola, e cila dyshohet nga Prokuroria shqiptare si e implikuar në pastrimin e 1.7 milionë eurove me Damir Fazlliçit në vitin 2007 (nëpërmjet firmës “Croun Acquisitions”), rezulton e përfshirë në një tjetër bashkëpunim të dyshimtë me zotin Fazlliç. Ortakja e vajzës së kryeministrit duket se ka qenë e përzgjedhur nga Fazlliçi për të regjistruar në Tiranë një firmë të quajtur “Rompetrol Albania”, ndërsa historiku i krijimit të kësaj kompanie hedh hije të rënda dyshimi lidhur me investimet në energjetikë. E gjithë historia fillon në janar të vitit 2005, kohë kur një kompani rumuno–shqiptare (me selinë qendrore në Holandë), e quajtur “Rompetrol Grup”, vendosi të blejë disa hektarë tokë në Porto Romano për të ndërtuar një impiant gjigant të depozitimit të naftës. Në shtator të vitit 2005 kryeministër bëhet Sali Berisha, ndërsa firma “Rompetrol Grup” (e cila përbëhej nga dy filiale) atë kohë kishte probleme serioze me zyrat e Tatim-Taksave në Shqipëri. Fil pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet firma pajtoi si eksperte kontabël zonjën Shpresa Breçani, ndërsa si me magji dhe problemet me taksat u zhdukën dhe firma po operonte e qetë. Madje atëherë kur përfunduan dhe shqetësimet tatimore të firmës, atëherë dhe kryeministri Berisha, në fillim të vitit 2006, po fliste gjithnjë e më shumë për nevojën e ndërtimit të parqeve energjetike dhe të depozitave në Porto Romano.
Vjen Fazlliç
Historia e ortakërisë shqiptaro-rumune të firmës “Rompetrol Grup” përfundoi më 8 maj të vitit 2007, datë në të cilën kreu rumun i kompanisë “Bogdan Kostaçe” e autorizoi me prokurë nga Amsterdami avokaten Flutura Kola të regjistronte një firmë të re të quajtur “Rompetrol Albania”. Kjo firmë u krijua si pasojë e bashkimit të aksioneve të “Rompetrol Grup” me një firmë qipriote të quajtur “Kelena”, me seli në Limasol të Qipros. Sipas prokurës nr. 610, firma “Rompetrol Albania” do të përfaqësohej pikërisht nga “Rompetrol Grup”, me 60 për qind të aksioneve dhe “Kelena” me 40 për qind të aksioneve. Përfaqësuesit e këtyre firmave ishin mbledhur në Amsterdam, ndërsa nga verifikimi i mëtejshëm i dokumentacionit zyrtar rezulton se pas firmës qipriote “Kelena” qëndron sërish biznesmeni Damir Fazlliç. Është pikërisht kështu, Damir Fazlliç është pronar i firmës qipriote dhe është futur aksionar fill pasi firma “Rompetrol Grup” zgjidhi problemet me taksat në Shqipëri, ndërsa eksperte kontabël kishte Shpresa Breçanin, e cila rezulton eksperte kontabël dhe e firmës “Alpha” të Damir Fazlliçit. Ndërsa po me prokurë u autorizua të regjistronte firmën në Tiranë Flutura Kola, e cila paralelisht në këtë kohë ishte me zotin Fazlliç e angazhuar në regjistrimin e firmës “Croun Acuisitions”, të shitur prej tij në mënyrë fiktive në një tjetër firmë qipriote.
“Kelena”
Damir Fazlliç është pronar i firmës “Kelena”, ndërsa kjo e fundit është 40 për qind aksionare e parkut energjetik në Porto Romano. Sikundër me firmat që janë krijuar në Tiranë, edhe “Kelena” është krijuar në Qipro nga Fazlliçi vetëm në dhjetor të vitit 2005, pikërisht atëherë kur Berisha ishte bërë kryeministër i vendit. Mediat kanë raportuar se firma “Rompetrol” ka pasur probleme me taksat para se Fazlliç të bëhej anëtar i bordit, por tanimë është fakt se zoti Fazlliç është bashkëpronar i firmës “Rompetrol”, duke marrë 40 për qind të aksioneve, ndërsa firma e re që lindi u regjistrua nga Flutura Kola, e cila në këtë kohë ka qenë dhe anëtare e bordit për energjetikën në Ministrinë e Ekonomisë.
Berisha në vitin 2008: “Porto Romanon do ta bëjmë park energjetik”
Njoftim i Këshillit të Ministrave
...Duke iu përgjigjur interesit të medias, nëse rritja e çmimit të karburanteve do të ndikojë në funksionimin e TEC-it të Fierit, kryeministri Berisha tha se kjo do të ketë ndikimin e saj, por shtoi se çmimi më i lartë dhe i kushtueshëm i energjisë elektrike është mungesa e saj, ndërsa vlerësoi se çmimet e tjera janë të pranueshme. Përsa i përket ndërtimit të TEC-eve të tjera më të mëdha në vendin tonë, kryeministri Berisha tha se ka një projekt real për ndërtimin e një TEC-i të madh prej 800 megavatësh, rreth 8 herë më i madh se TEC-i i Vlorës, dhe për ndërtimin e termocentraleve të tjera. Porto Romano, tha kryeministri, do të jetë porti kryesor energjetik i Shqipërisë. “Ne do të shkojmë edhe drejt TEC-eve më të mëdha, por nuk do ta ndërtojmë në breg”, - theksoi kryeministri, duke shtuar se Porto Romano nuk është i përshtatshëm për ndërtimin e centralit nuklear, por do të përzgjidhet me kujdes vendi, pasi duhen plotësuar disa kushte. Kryeministri theksoi se në Porto Romano nuk do të ketë central bërthamor, por do të ketë TEC-e me gaz, naftë dhe me qymyr.
6 qershor 2008
11 Tetor 2008