AH1N1, viktima e parë në Shqipëri
zirina llambro
Shënohet viktima e parë nga gripi i derrave në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje pasdite, se një pacient me origjinë nga Sukthi, 57 vjeç ndërroi jetë pas infeksionit me virusin A H1N1. “Pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive i Spitalit të Durrësit dhe i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare “Shefqet Ndroqi”, vuante prej shumë kohësh nga tumori beninj i prostatës, si dhe kishte kaluar edhe Infarkt Miokardi të një forme të agravuar”, tha dje në konferencë për shtyp, Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministri, Pëllumb Pipero. Ai shtoi se diagnoza e infeksionit me A H1N1 u konfirmua brenda ditës, pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në ISHP.” Duke sjellë në vëmendjen e publikut edhe situatën epidemiologjike të vendeve fqinje dhe vendeve të Evropës, të cilët aktualisht kanë konfirmuar një numër të caktuar vdekjesh, ne konfirmojmë përfshirjen e vendit tonë në listën pozitive të vendeve me vdekje nga A H1N1”, theksoi Pipero. Sipas tij, rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore. “Nën këtë këndvështrim, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga OBSH dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal. Ata duhet të konsultohen dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nga mjeku i familjes apo specialist në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm”, deklaroi Drejtori i Politikave Shëndetësore. Ai bëri me dije se rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë, por edhe të evitojnë në maksimum mjediset e mbi frekuentuara. Ministria e Shëndetësisë momentalisht nuk konfirmon raste të tjera me rrezik për jetën nga gripi i derrave. Sakaq brenda javës që vjen pritet të mbërrijnë 250 mijë vaksinat e para kundër virusit. Porositë janë bërë përkatësisht në Hungari dhe Gjermani. Grupet e riskut do ta përfitojnë të parët e më pas popullata e gjerë. Ministria e Shëndetësisë ka dhënë garanci se vaksina nuk ka efekte anësore, ashtu siç po përflitet në mediat e huaja. Çdo ditë konfirmohen dhjetëra raste të reja me virusin AH1N1. Vetëm në Spitalin “Nënë Tereza”, sipas drejtuesve marrin asistencë mjekësore 60 persona në ditë që rezultojnë të prekur nga gripi i derrave. Mjekët sqarojnë se rreth 20% e rasteve shtrohen ndërsa pjesa tjetër këshillohen të vazhdojnë kurimin në shtëpi, pasi kanë kaluar sëmundjen në formë të lehtë. Fluks ka edhe në pediatrinë e QSU, e cila pret 230 fëmijë në ditë me grip stinor e atë të derrave. Ndonëse është deklaruar se jemi në situatë epidemike, piku i të prekurve pritet në janar dhe shkurt. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel për kryerjen e vaksinës kundër gripit të zakonshëm, në treg ajo mungon që prej një jave.