E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH për Kosovën, Dell: Luftoni korrupsionin

PRISHTINë- Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka kërkuar që korrupsioni të luftohet nga kosovarët dhe të mos pritet gjithçka nga ndërkombëtarët. Komentet e Dellit vijnë pak ditë pas kritikave që iu bënë institucioneve nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Shoqëria juaj ende shikon kah bashkësia ndërkombëtare për të kërkuar drejtësi. Duhet të jetë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Kuinti apo trupa tjerë ndërkombëtarë ata që kërkojnë që Qeveria juaj t’i mbajë përgjegjës zyrtarët e saj”.

“Kjo s’do të shkojë gjatë. Nëse ju vareni në ne, që ne të bëjmë atë thirrje - kjo nuk do të jetë e shëndetshme për Kosovën. Kjo është shenjë e moszhvillimit. Kjo thirrje duhet të vijë nga brenda, nga njerëzit”, ka thënë Dell.

Ambasadori amerikan ka përçuar mesazhin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ai ka theksuar se sundimi i ligjit duhet t’iu mundësojë qytetarëve qasjen në drejtësi dhe është shenjë se ku është Kosova dhe ku duhet të shkojë.
“Një nga gjërat që ne kemi mësuar për më se 200 vjet është se nuk mund ta luftoni korrupsionin, nuk mund t’ua kufizoni pushtetin atyre që mbajnë poste qeveritare nëse themelet e institucioneve tuaja, të shoqërisë suaj, nuk janë të fuqishme dhe nëse nuk balancojnë njëra-tjetrën”.

Ai ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë mes hallkave të gjyqësorit, në mënyrë që besimi i qytetarëve në këtë sistem të rritet.
“Nëse njerëzit shikojnë përreth dhe nuk shohin se liderët e tyre po japin përgjegjësi, nëse e shohin se s’mund të kenë qasje në drejtësi, në gjykata, ata shumë shpejt do të humbasin besimin në proces dhe do të ndalen së kërkuari drejtësinë dhe ju do të hyni në një spirale të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, është shprehur Dell.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›