Sfida ndaj çelsit, Murinjo përjashton Balotelin
MILANO- Interi udhëton drejt Londrës për sfidën e së martës ndaj çelsit me probleme të shumta, por kryesori mbetet ai që lidhet me Mario Balotelin. Sulmuesi zikaltër është lënë jashtë pa asnjë shpjegim nga trajneri Zhoze Murinjo, i cili nuk e ka grumbulluar fare për atë që konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Lajmi është bërë i ditur të hënën rreth mesditës, pasi zikaltërit kishin zhvilluar seancën stërvitore. Në fund të saj Baloteli është larguar bashkë me Arnautoviç. Ditët e fundit ai është stërvitur rregullisht, duke treguar se e kishte kaluar problemin në gju që e detyroi të qëndronte jashtë ndeshjes me Katanian. Këtë herë ai nuk është lënë jashtë për probleme forme apo shëndeti, por si një ndëshkim i teknikut për sjelljen e futbollistit në ditët e shkuara. Mediat italiane kanë hedhur dyshimin se diçka ka ndodhur edhe në seancën e së hënës, pasi asnjë trajner në botë nuk do të hiqte dorë nga një futbollist i tillë në prag të ndeshjes me çelsin. Vetë Morati ndërkohë është shprehur i habitur me vendimin, ndërsa menaxheri i lojtarit Mino Raiola është shprehur se pas këtij vendimi, Baloteli është i hidhëruar, trishtuar dhe i zhgënjyer, pasi nuk do të luajë në një ndeshje shumë të rëndësishme. “Murinjo nuk i ka dhënë asnjë shpjegim”, ka bërë të ditur ai. “Mario shkoi në Apiano Xhentile për t’u stërvitur dhe aty mori vesh se nuk ishte grumbulluar. Gjithsesi, ai duhet të respektojë zgjedhjet e trajnerit, ndryshe çdo gjë shkon për keq”, deklaroi menaxheri i Balotelit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)