E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Dick Marti Presidenti Topi: Akuzat false, dëm shqiptarëve

TIRANE-  Presidenti i Republikes Bamir Topi reagon ashper ndaj pr/rezolutës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. 

Duke e konsideruar një cështje shumë të ndjeshme, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por edhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të rajonit dhe mirëqenien e popujve tanë, presidenti ka shqyrtuar në mënyrë të hollësishme Projekt-Rezolutën e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përparas se të shprehë publikisht qëndrimin zyrtar. 

Në raport, Dick Marti akuzon liderët kosovarë përfshirë këtu dhe kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi për trafik organesh njerëzore dhe krime të tjera në përfundim të konfliktit në Kosovë. 

"Duke pasur parasysh këtë Projekt-Rezolutë, që erdhi si rezultat i Raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dik Marti, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete dhe pandehmat e endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan – në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës."- thuhet në qëndrimin zyrtar të presidentit e cila u lexua nga zëdhënsja e presidentit.

"Këto akuza fantazmagorike- thuhet më tej-  shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar, identitetin e tij, si dhe shtetin e ri shumë-etnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Nga ana tjetër, akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›