“T’i e sheh ekonominë nga kafeja e Fidelit dhe Change-i i Shkëlqimit”
Berisha - Ruçit
Ky koalicion do të vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve për sa kohë do jetë në pushtet
Paria Socialiste nuk është mjaftuar me sulmet e vazhdueshme ndaj ekonomisë shqiptare gjatë konferencave të shtypit, por të njëjtën inkursion kuadroi edhe dje në punimet e seancës parlamentare. Kryetari i grupit parlamentar socialit, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij dha “alarmin” për një ekonomi në krizë, ndërkohë që reagimi i kryeministrit Berisha ishte se socialistët e shohin realitetin ekonomik nga kafeja e Fidelit dhe Change i Shkëlqimit. Sipas kryeministrit, ata s’kërkojnë dot as mocion kundrejt kreut të qeverisë.
“I nderuar zoti Ruçi mund të them që kjo ishte tabloja ekonomike dhe politike e parë nga kafeneja e Fidelit dhe Change-i i Shkëlqim Canit. Por unë të garantoj se rritja e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri ka vazhduar dhe do vazhdojë sa të jetë ky koalicion qeveritar në pushtet dhe duket se e ka jetën të gjatë. Përsa i përket votave të ftoj të bësh një mocion, po jeni pa kokrra mo zotëri, se ai që ju ka prurë ju këtu ju ka lënë pa kokrra. Prandaj s’bëni dot mocione ju, bëni mocion dhe provojeni. Bëjeni mocionin dhe unë ju vij nesër në mocion. Ju erdhët qëndruat 19 ditë aty para derës time dhe ja ku jemi prapë në këto pozicione, mund të vini të rrini dhe dy muaj të tjera absolutisht ju respektoi, po nuk bëni dot mocion ju”, tha kryeministri Berisha.
Duke iu referuar indikatorëve të rritjes ekonomike, Berisha citoi shifra dhe të dhëna që flasin për një ekonomi të stabilizuar dhe këtë e tregojnë eksportet.
“Lidhur me eksportet, KESH ka një kontribut të rëndësishëm në eksport janë eksportuar 8 miliard lek më shumë se vitin e kaluar. Merreni pak tabelat e eksporteve. Mos e shihni botën nga kafeneja e Fidelit. Merrni strukturën në dogana 52 për qind janë manifakturë 17 për qind janë minerale. Po ta shihni nga kafja e Fidelit, sidomos në ato dy katet përmbi, që janë jashtë çdo lloj standardi e di si ju del Shqipëria, përmbys absolutisht. Unë të respektoj të sillni çdo shifër çdo fakt”, tha Berisha.
Kryeministri foli edhe për privatizimet, duke theksuar se procesi është transparent. “Privatizimi është një parim themelor e një ekonomie të tregut të lirë. Do privatizojmë, sepse ky shtet vjen nga një socializëm, që pati një dështim total në menaxhim. Do privatizojmë se do i kthejmë pronën pronarëve, do privatizojmë se do luftojmë korrupsionin me çdo kusht, do privatizojmë se në tërësi shoqëria e njerëzimi ka provuar se privatizimi dhe prosperiteti janë si binjak siamez në zhvillimin e vendeve”, deklaroi më tej, kreu i qeverisë, Sali Berisha.