E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave me Serbinë, miratohet marrëveshja

Komisioni i Sigurisë i është rikthyer dje marrëveshjes së heqjes së vizave me Serbinë dhe e ka miratuar atë falë numrit më të madh të votave që mundit të sigurojë sërish jo pa vështirësi. Këmbëngulja e deputetëve të opozitës për ta shtyrë këtë marrëveshje sërish nuk ka dhënë rezultat, pasi mazhoranca e djathtë ka gjetur numrat e duhur dhe e ka kaluar atë për votim në seancë plenare. Sërish deputetët e opozitës kanë argumentuar se miratimi i kësaj marrëveshjeje në këto momente nuk është i duhur, pasi, sipas tyre, nuk është normale që ajo vjen për ratifikim në një kohë kur shqiptarët e veriut të Kosovës po përballen çdo ditë me një konflikt të vazhduar me serbët. “Ne ishim parimisht dakord. Por nuk bindemi se është tani koha, ndaj kërkuam sqarime shtesë. Jemi në proces marrëdhëniesh konsolidimi me Serbinë, por jemi në një proces mbështetje dhe për Kosovën”, - tha deputeti socialist Ilir Gjoni. Por pretendimet e ngritura për të dytën mbledhje radhazi janë hedhur poshtë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme, të cilët kanë sjellë para deputetëve vlerësimet pozitive për situatën e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe impaktin pozitiv që ajo do të ketë për qytetarët. Madje, ata kanë theksuar se edhe vetë Kosova është e kënaqur për këtë nivel marrëdhëniesh që ka Serbia me Shqipërinë. Në përfundim, me ardhjen edhe të kreut të grupit parlamentar, Astrit Patozi, mazhoranca e djathtë ka arritur numrat e duhur dhe e ka votuar marrëveshjen me 9 vota pro dhe 7 abstenime të socialistëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›