E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi mund të sjellë zgjedhje të parakohshme deri në fund të vitit

Gazeta “Financial Times” analizon parregullsitë në procesin e numërimit të votave. Rezultatet flasin për një numër mandatesh 70-70 mes dy kaheve politike

Karin Hope

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të Shqipërisë duket se janë orientuar drejt bllokimit me një PD, forcë qeverisëse e qendrës së djathë, dhe parti socialiste në opozitë, që nuk janë në gjendje të fitojnë një shumicë të plotë në Parlamentin me 140 vende. Procesi i gjatë i numërimit të votave pas zgjedhjeve të së dielës ka hyrë në ditën e katërt dhe ecën me tensione për shkak të përpjekjeve të minutës së fundit për manipulime.
Me llogaritjen e më shumë se 98 për qind të fletëve të votimit, demokratët kanë siguruar 68 mandate, ndërsa PS-ja 65 mandate sipas një sistemi elektoral proporcional rajonal, që është përdorur për herë të parë në këto zgjedhje.
Analistët thonë se 3 mandatet akoma mund të ndryshojnë pasi të numërohen edhe 100 kutitë e fundit të votimit.

“Në tërësi ne po shohim një ndarje të mandateve 70 me 70 në Parlament, duke marrë në konsideratë aleancat e mundshme”, - thotë Bledar Mazniku i ECA-s, organizata e pavarur që po monitoron zgjedhjet dhe që mbështetet nga SHBA-të.

Një rezultat i tillë mund të rezultojë me mbajtjen e zgjedhjeve të tjera parlamentare që mund të zhvillohen deri në fund të këtij viti, dhe kjo vonon vendime kyçe politike.
Shqipëria është deklaruar se do të ndjekë shembujt e Serbisë dhe Rumanisë pas zgjedhjeve dhe po shikon të marrë kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Partia Demokratike, e cila ka arritur të sigurojë një udhëheqje të ngushtë që prej ditës së diel, mbështetet nga PR-ja dhe një vend tjetër e ka nga një parti e vogël që përfaqëson minoritetin çam.
Socialistët mund të bashkohen me LSI-në e kryesuar nga ish-kryeministri Ilir Meta, i cili ka fituar katër mandate dhe Partia e të Drejtave të Njeriut, me një mandat, e cila përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri.

Pas një numri të madh incidentesh në numërimin e 66 qendrave elektorale në të gjithë vendin, që prej ditës së martë në mbrëmje janë lëshuar akuza për manipulime të kutive të votimit.

Socialistët refuzuan të pranojnë rezultatet në veri të vendit, në Shkodër, një zonë me mbështetje të fortë për PD-në, pasi në një kuti ishin gjetur 400 fletë votimi për kandidatin e PD-së dhe asnjë votë për partitë e tjera.

Kutitë e mbetura të fletëve të votimit në qytetin e Laçit janë marrë për t’u numëruar në Tiranë pas kacafytjeve të shkaktuara mes komisionerëve socialistë dhe demokratë.

Numërimi i fletëve të votimit tashmë e ka kaluar parashikimin prej 36 orësh për shkak të sistemit të ri zgjedhor që parashikon skanimin e secilës fletë dhe shfaqjes së saj në ekran, që vëzhgohet nga monitorues dhe zyrtarë partie.
Sistemi ishte planifikuar që të shmangte mbushjen dhe manipulimin e votave, fenomene këto që kanë ndodhur në zgjedhjet e mëparshme. Shqipëria nuk ka zhvilluar ende një palë zgjedhje që të përmbushin standardet ndërkombëtare.

Shkrimi është publikuar dje në “Financial Times”
Titulli është redaksional

Përgatiti: Albert Gjoka

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›