Raporti i KE: Opozita t’i japë fund bojkotit
Gazeta Start ka siguruar e para raportin në fjalë, ku ndër të tjerash thuhet se: opozita duhet të kthehet menjëherë në Parlament dhe të marrë përgjegjësitë e saj, ndërkohë që maxhoranca të ngrejë një komision hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar. “Autoritetet shqiptare duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor zgjedhor, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias”, shkruhet në raport. Ky komision kërkon nga presidenti i Republikës, Bamir Topi që të ndërmjetësojë për të ndihmuar në arritjen e një konsensusi për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës, për ndreqjen e problemeve të zgjedhjeve të shkuara. Pjesë e këtij komisioni raportuesish janë Jako Laakso nga Finlanda, Grupi i majtë i evropianëve të Bashkuar, dhe David Wilshire nga Mbretëria e Bashkuar, Grupi Demokratik Evropian. Ky raport do të diskutohet më 28 Janar ora 15.00 në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës në Strasburg.