E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis ndërtimi i pjesës së dytë të rrugës së kombit



Erald Kapri

Nis ndërtimi i pjesës së dytë të rrugës së kombit, që do të lidhë në një kohë më të shpejtë Kosovën me Shqipërinë. Krerët e shtetit të Kosovës së bashku me Kryeministrin Sali Berisha inauguruan dje nisjen e punimeve të autostradës Morinë-Merdare, vijim i rrugës Durrës-Kukës. Në mënyrë simbolike, krerët e Kosovës dhe Berisha shtypën butonin për shpërthimin e parë, tymi i të cilit ishte me ngjyrat e flamurëve kombëtarë të të dy vendeve. Autostrada Morinë-Merdarë do të jetë e gjatë 103 kilometra, e ndërtuar me 4 korsi, çka do të mundësojë që Tirana e Prishtina të lidhen në një rrugë jo më të gjatë se 3 orë. Në ceremoninë e fillimit të punimeve, mbajtur në Vërmicë, afër Prizrenit, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se rruga e re është plotësimi i ëndrrës shqiptare. “Sot, kur nisim rrugën e kombit, më lejoni të përkujtojmë me respekt ëndrrën dhe sakrificën e stërgjyshërve dhe baballarëve tanë me kufij të ndarë dhe t’u themi me zë të lartë dhe shtetëror: po, sot, në këtë ditë, po e nisim rrugën tonë, rrugën e munguar, rrugën e kombit, rrugën e ëndrrave tuaja dhe ëndrrave tona, rrugën e afrimit dhe komunikimit, rrugën e zhvillimit ekonomik dhe emancipimit shumëdimensional të shoqërisë kosovare”, tha Thaçi. Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk do të kursejë për ndërtimin e shpejtë të kësaj rruge. “Ju dëshiroj punë të mbarë të gjithëve, që do të jeni të përfshirë në këtë projekt madhor. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë njerëzve që do të lëvizin në këtë rrugë, rrugë të mbarë e të sigurt. Urime dhe suksese. Urime nga zemra gjithë qytetarëve, familjeve kosovare dhe shqiptare dhe të gjithë kontribuuesve në fillimin e ndërtimit të autostradës së ëndrrave të qytetarëve”, tha më tej Thaçi.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha deklaroi se ndërtimi i kësaj rruge tregon aftësinë e shqiptarëve në liri. “Inaugurimi sot, i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë”, tha Berisha. Ai premtoi se Qeveria shqiptare do të nisë së shpejti projektin për ndërtimin e hekurudhës së përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës. “Inaugurimi i këtij korridori do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës, që do të lidhë Tiranën me Prishtinën dhe se Shqipëria është e vendosur të krijojë me të gjithë vendet përreth infrastrukturën më moderne, të krijojë me Kosovën infrastrukturën më intensive”, premtoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›