E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KE-së, Lohan: Shqipëria po e mbush gotën e standardeve



Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s dhe aplikuese për në BE, ka bërë që gota e standardeve këtë vit të jetë më e madhe. Për KE-në Shqipëria përmes progresit të saj po bën çmos që këtë gotë ta mbushë. Por, reformat integruese do të ishin gjysmake, nëse opozita nuk i jep fund bojkotit të Parlamentit dhe të kuptojë në mënyrë të qartë se zgjedhjet e 28 qershorit ishin të lira dhe arritën shumicën e standardeve. Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, paraqiti dje raport-progresin për Shqipërinë gjatë vitit 2009, ku deklaroi se vendi ka shënuar progres. Përpara mediave ambasadori renditi arritjet e vendit si dhe sfidat e tjera që mbeten para deri në anëtarësimin e plotë të vendit të Bashkimin Evropian. Lohan tha në konferencë: “Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në trajtimin e kritereve politike në përputhje me partneritetin evropian, si në fushën e Parlamentit, të qeverisjes, administratës publike, të sistemit gjyqësor, të politikës së antikorrupsionit, të të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së pakicave”. Ai evidentoi se vendi ka zbatuar mirë MSA-në, ka luajtur një rol konstruktiv në rajon si dhe ka një ecuri të mirë ekonomike. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, sipas të cilëve në vitin e kaluar Lohan e cilësoi raportin për Shqipëri një gotë gjysmë plot e gjysmë bosh, ambasadori tha se këtë vit gota është më e madhe. “Këtë vit gota është ende gjysmë e plotë, por nuk është e njëjta gotë. Këtë vit gota është më e madhe, sepse Shqipëria këtë vit aplikoi në BE dhe është anëtare e NATO-s, prandaj edhe gota është më e madhe”, - tha Lohan, duke dhënë një lajm të mirë se deri në vitin 2013 vendi do të përfitojë 600 milionë euro financime nga BE-ja. Njëkohësisht, ambasadori tha se për statusin e vendit kandidat, “Këshilli i Ministrave i BE-së do të çojë në Komisionin Evropian një kërkesë që quhet “Opinionet” në lidhje me Shqipërinë dhe aplikimin e saj për anëtarësimin në BE”.

Liberalizimi i vizave

Duke folur për liberalizimin e vizave, ambasadori i KE-së tha se vendi ka një mundësi të mirë para. Ai tha se vendi “ka ecur përpara në plotësimin e shumicës së standardeve për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian”. Lohan shtoi se Shqipëria ka ecur përpara me sistemin e kompjuterizuar të regjistrit të gjendjes civile dhe me prezantimin e pasaportave biometrike. Ai tha më tej se vendi duhet të plotësojë edhe kriteret e fundit për të përfituar liberalizimin e vizave në mesin e vitit 2010. “Tani Shqipëria ka me të vërtetë një mundësi që të plotësojë edhe kriteret dhe standardet që kanë ngelur ende për t'u plotësuar në këtë dialog për liberalizimin e vizave dhe ka kohë që të plotësojë këto standarde në kohën e duhur për mesin e vitit 2010”, - deklaroi ambasadori i KE-së.

Opozita dhe zgjedhjet

Lohan komentoi edhe zhvillimet e fundit politike, duke thënë se duhet prania e opozitës në Kuvend. “Në raportin tonë është vënë re e njëjta gjë që ka konstatuar edhe OSBE/ODIHR-i për zgjedhjet, që ka të bëjë me faktin se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u vlerësuan në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo është më mirë se në vitet e shkuara, por ka ende mangësi”, - tha Lohan për procesin e zgjedhjeve. I pyetur nga media për takimin e fundit me kreun e opozitës, Edi Rama, ai tha se nuk ka dashur të bëjë ndërhyrje. “Unë kam pasur kontakte dhe do të kem po ashtu edhe në të ardhmen me udhëheqësit politikë të Shqipërisë dhe pa dyshim që nuk do të mundem të them gjithmonë për median atë që kemi diskutuar”, - tha ai, duke mos harruar të thotë: “Pa praninë e të gjithë deputetëve të zgjedhur në Parlament është e vështirë për mua që të imagjinoj arritjen e këtyre reformave kaq madhore”.

Pikat kryesore të progres-raportit për Shqipërinë

Pamja e përgjithshme e marrëdhënieve BE-Shqipëri është inkurajuese. Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në më 12 qershor 2006. Zbatimi i MSA-së, e cila hyri në fuqi sivjet, në përgjithësi po vazhdon normalisht.

Kriteret politike

Shqipëria ka vazhduar të përparojë për sa i përket trajtimit të kritereve politike sipas partneritetit evropian. Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve evropiane, por duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të trajtuar problemet që u identifikuan. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE në prill 2009. Shqipëria duhet të përparojë më shumë, sidomos për sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pavarësia e institucioneve shtetërore, sidomos e atyre të gjyqësorit, duhet të përforcohet më tej.

Kriteret ekonomike

Ekonomia shqiptare ka bërë hapa të mëtejshëm përpara drejt një ekonomie tregu funksionuese. Në mënyrë që të jetë e aftë t’u bëjë ballë presioneve konkurruese në një periudhë afatmesme dhe forcave të tregut brenda BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor.

Gjatë gjithë vitit 2008, rritja ekonomike vazhdoi të përshpejtohej, por u ngadalësua në vitin 2009, për shkak të ndikimit të krizës ekonomike, e cila rezultoi në rënien e eksporteve, dërgesave të emigrantëve dhe të kredisë. Politika monetare vazhdoi të ishte e shëndoshë dhe u ruajt qëndrueshmëria e çmimeve, ndërkohë që deficiti buxhetor u rrit kryesisht për shkak të veprave të mëdha publike në infrastrukturën rrugore. Megjithatë, problemet që lidhen me shtetin e së drejtës, niveli i dobët i infrastrukturës dhe ekonomia informale në shkallë të lartë mbeten sfida për zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit.

Ristrukturimi dhe privatizimi i sektorit energjitik eci përpara, por mungesa e sigurisë në furnizimin me energji vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik. Në mënyrë që ekonomia t’u bëjë ballë presioneve konkurruese dhe forcave të tregut të BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor.

Standardet

Shqipëria ka përparuar me përafrimin e legjislacionit, politikave dhe kapaciteteve të saj me standardet evropiane. Tani i duhet të shtojë përpjekjet e saj për zbatimin e këtyre ligjeve dhe politikave. Në fusha, si lëvizja e lirë e mallrave, politikat e energjisë dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ka vazhduar progresi i shënuar vitet e mëparshme

Përparimet kanë qenë të kufizuara në fusha të tjera, si e drejta e pronësisë intelektuale, politikat audio-vizuale, bujqësia dhe kontrollet veterinare/fitosanitare. Gjithashtu, janë të nevojshme rezultate të prekshme për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Ndihma financiare për Shqipërinë para anëtarësimit (milionë euro)

2007 2008 2009 2010 2011 2012 2013 Total

61.0 70.7 81.2 92.7 94.4 96.3 98.1 594.4

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›