E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KE-së, Topalli: Udhërrëfyes për Parlamentin



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi realist dhe objektiv raportin e KE-së për Shqipërinë, duke bërë të qartë se ky dokument do të jetë një udhërrëfyes për Parlamentin. Ambasadori i KE-së, Helmuth Lohan, i dorëzoi dje në mesditë kyetares së Kuvendit raportin e progresit për vitin 2009 si dhe një letër nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dërguar kryetares së Kuvendit. Duke nënvizuar çështjet kryesore të raportit të progresit, ambasadori Lohan tha se mesazhi kryesor është inkurajues dhe thekson marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe BE-së. “Në raport, - tha ambasadori Lohan, - theksohet se Shqipëria e ka zbatuar mirë MSA-në dhe ka adresuar në përgjithësi kriteret politike”. Për sa i përket Parlamentit, ambasadori Lohan nënvizoi se raporti thekson se “Parlamenti ka miratuar një numër të madh ligjesh për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe kapacitetet menaxhuese të Parlamentit janë përmirësuar”. Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi raportin e progresit si realist dhe objektiv. Ajo tha se ky raport do t’u shpërndahet të gjithë deputetëve dhe do të përbëjë një udhërrëfyes për Parlamentin. “Do të doja të ndaja me ju, - tha ambasadori Lohan, - atë që komisionieri për zgjerimin, Olli Rehn, tha në konferencën e tij i pyetur për Shqipërisë se “Shqipëria ka bërë reforma të mira”. Duke cituar raportin, ambasadori Lohan tha se për sa u përket kritereve ekonomike, Shqipëria po bën progres në funksionimin e ekonomisë së tregut. “E gjej me interes, - tha ai, - progresin e nënvizuar në zhvillimin e industrisë së vogël e të mesme që është thelbësore për aquis communitare”. Ambasadori Lohan dhe kryetarja e Kuvendit diskutuan edhe për vijimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, veçanërisht në përafrimin e legjislacionit dhe për rritjen e kapaciteteve të Parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›