E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KE-së: Shengeni, Maqedonia dhe Mali i Zi do të kthejnë vizat për Shqipërinë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nëse mali i Zi dhe Maqedonia do të hyjnë në vendet Shengen, ashtu siç propozon raporti i ekspertëve të KE, Shqipërisë do t i mohohet lëvizja e lirë në këto dy vende.
Gazeta “Ballkan” boton të plotë raportin e KE-së, në lidhje me progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për heqjen e regjimit të vizave. Dokumenti i përgatitur nga Këshilli Evropian pasqyron qëndrimin e BE-së për progresin e Shqipërisë, në kuadër të Këshillit të parë të Stabilizim-Asociimit që u zhvillua të hënën në mbrëmje në Bruksel. Për çështjen më të ndjeshme për shqiptarët, atë të lëvizjes së lirë, ky dokument sekret vlerëson se janë bërë disa progrese, por se nevojitet përmbushja e plotë e kritereve në të gjitha fushat e specifikuara në udhërrëfyes. “Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet njëfarë progresi në përgjithësi, por për sa u takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet evropiane. BE-ja thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në dokument. Në të vetmin aspekt që Shqipëria thuhet se është në rrugën e duhur ka qenë në lidhje me vlerësimin e standardeve të marrëdhënieve me jashtë dhe të drejtat themelore. Megjithë përmirësimin e perceptimit, “korrupsioni mbetet i shpërndarë gjerësisht dhe përbën një problem veçanërisht serioz”. Bashkimi Evropian vlerëson progres të limituar, sidomos në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe nënvizohet se ky fenomen “mbetet problem serioz që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri. Përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dëmtohen nga korrupsioni në vend dhe mbrojtja e varfër e dëshmitarëve si dhe nga mangësitë në politikat afatgjata. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë e prokurorisë vazhdojnë të reduktojnë efikasitetin hetimor”. Trafiku i drogës mbetet shqetësim serioz, ndërsa vlerësohet se Shqipëria është “vend i rëndësishëm origjine për trafikun e qenieve njerëzore, si për shfrytëzimin seksual të grave e vajzave dhe për punën e detyruar. Trafiku i brendshëm i grave e fëmijëve është në rritje”, cilëson dokumenti konfidencial. “Kontrolli kufitar është më efektiv, por emigracioni ilegal mbetet shqetësim”, sipas vlerësimit të vendeve anëtare. Për zgjedhjet e qershorit “BE-ja është njohur me masat e marra dhe shpreh shqetësim për shpejtësinë e shpërndarjes së kartave të identitetit”, thekson dokumenti. Vlerësimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Ballkanin do të diskutohet nga vendet anëtare më 25 maj. Për shtetet ballkanike që kanë përmbushur më mirë kriteret e udhërrëfyesit, komisioni pritet t i propozojë Këshillit Evropian rekomandimin e tij për heqjen e regjimit të vizave në fund të muajit qershor. Deri më tani, burime diplomatike njoftojnë se vendet më të favorizuara janë Maqedonia dhe ndoshta Serbia e Mali i Zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të vlerësohen në kohën e duhur kur t i përmbushin kushtet për liberalizimin e vizave. Këtë të hënë, në datën 25 maj, pritet që Komisioni të diskutojë raportin e tij me zyrtarët e vendeve anëtare të BE-së. Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të bazohen në vlerësimet e Komisionit dhe do të aplikojnë kushtet e përcaktuara nga ata vetë, atëherë pritet që Maqedonia të jetë vendi i parë që do të përfitojë heqjen e regjimit të vizave, duke i mohuar Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, të paktën për momentin, lëvizjen e lirë. Për sa i përket Malit të Zi dhe Serbisë, Komisioni dhe vendet e BE-së do t u duhet të vlerësojnë edhe një herë progresin e fundit të këtyre dy vendeve (veçanërisht në muajt e fundit). Por është dhe një mundësi e tretë, që mund të jetë një vendim negativ që do të kërkojë dhe një vlerësim të fundit përpara fundit të muajit korrik.

Bie pritshmëria nga raporti paraardhës i KE-së
Raporti i 2008-ës dështoi të parashikonte heqjen përfundimtare të vizave
Në 24 nëntor 2008, Komisioni Evropian u prezantoi zyrtarëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (nga grupi i punës i Këshillit të Ballkanit Perëndimor dhe një grup pune për drejtësinë dhe çështjet e brendshme) një draft vlerësimi për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmbushjen e kërkesave të heqjes së regjimit të vizave. Duke gjykuar nga vlerësimi i Komisionit, vendet u klasifikuan në tri grupe. Maqedonia, ishte vendi me progresin më të madh, Serbia dhe Mali i Zi vinin më pas dhe Shqipëria, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, renditeshin në grupin e tretë dhe të fundit. Vlerësimi bazohej në raportet e gatishmërisë që vendet e Ballkanit Perëndimor kishin dorëzuar në muajin shtator të vitit 2008. Më vonë Komisioni kërkoi informacion shtesë, klasifikime dhe përditësime. Në takimin më të afërt të nëntorit, Komisioni tha se ai do të ishte gati të propozonte heqjen e regjimit të vizave në vitin 2009 për vendet që kishin kryer reformat më të mëdha. Komisioneri i Zgjerimit, Oli Ren, u qëndroi besnik këtyre komenteve. Megjithatë, disa përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania, Spanja dhe Belgjika e refuzuan me arsyen se heqja e vizave nuk mund të bëhej brenda vitit 2009. Komisioni ftoi gjithashtu anëtarët e BE-së që të nominonin ekspertët kombëtarë për misionet e gjetjes së fakteve për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, gjë që ndodhi mes muajve janar-mars 2009. Raportet nga misionet, ashtu si edhe i gjithë informacioni dhe përditësimi i bërë nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor, ishin baza e një serie vlerësimesh të reja të Komisionit. Por as kësaj radhe ai nuk doli në përfundimin se heqja e vizave do të ndodhte brenda vitit 2009.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›