Ujërat detare, Meta i përgjigjet Ramës: Je spekulues
Ministri i Jashtëm Ilir Meta i kërkoi dje PS-së dhe kryetarit Edi Rama që të distancohen nga frymëzimet ekstremiste që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pasi sipas tij, epoka e nacionalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan ka përfunduar dhe raste të tilla janë episodike dhe të nxitura nga qarqe të caktuara. Ministri Meta iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës se qeveria ka shitur tek grekët ujërat detare, duke i quajtur ato spekulime dhe qëndrime ekstremiste që nuk ndihmojnë PS-në, as vendin. Kryediplomati Meta i kujtoi kryesocialistit Edi Rama se Kuvendi është vendi i duhur ku zgjidhet çdo çështje dhe e ftoi atë që të jetë i pranishëm në seancën plenare të 19 tetorit për të njohur më mirë dhe më saktë marrëveshjen. Sipas z. Meta, çështja e shumëpërfolur për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar dhe shelfit kontinental, është një spekulim i pastër dhe keqinformim i opinionit publik. “Për të shuar çdo aludim, keqinterpretim apo keqdashje, do të ndiqet rruga me transparencë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe do të sqarohen në mënyrë të plotë të gjitha shqetësimet dhe pretendimet e ngritura, në mënyrë qe t’u jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve mbi të vërtetën e kësaj çështjeje”, - u shpreh z. Meta. Ministri i Jashtëm, njëherësh dhe zëvendëskryeministër, garantoi opinionin publik se për realizimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë që rrjedh nga aderimi i saj në Konventën e Detit, janë angazhuar specialistët më të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të tjera dhe janë ndjekur në mënyrë të rreptë të gjitha rregullat dhe procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Ministri Ilir Meta reagoi gjithashtu edhe ndaj deklaratave të kryesocialistit Rama, i cili e kritikoi këtë marrëveshje dhe tha se do të ngrejë një grup ekspertësh. “Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme, që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, rikthen frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikën rajonale të paqes dhe stabilitetit që Shqipëria në vazhdimësi ka ndjekur në rajon, duke synuar cenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes vendit tonë dhe Greqisë”, - deklaroi z. Meta. Kryediplomati shqiptar ftoi opozitën të gjykojë me kthjelltësi dhe pa emocione, si dhe të ndjekë rrugën institucionale për realizimin e transparencës së plotë të kësaj çështjeje. Ai kërkoi distancimin nga frymëzimet ekstremiste që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sikurse mund të jenë thirrjet për djegien publike të flamujve kombëtarë të vendeve fqinje apo siç është edhe rasti në fjalë, pasi epoka e nacionalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan ka përfunduar dhe raste të tilla janë episodike dhe të nxitura nga qarqe që kërkojnë të na kthejnë pas apo që për arsye të mbijetesës së tyre nxisin këtë frymë regresive”. Meta sqaroi gjithashtu se linja e politikës së jashtme të Shqipërisë nuk mund të jetë kjo e opozitës dhe se qeveria është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare e ato kushtetuese, duke garantuar sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë. Ai u bëri thirrje palëve të interesuara dhe veçanërisht opozitës që të bëhen pjesë e transparencës për këtë çështje dhe të mos krijojnë me qëllim apo pa dashje emocione të dëmshme, por të respektojnë punën e ekspertëve dhe legjitimitetin e saj.