E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KLSH-së rrëzoi qeverinë në “dietë”



Në tre vitet e fundit, qeveria ”Berisha” jo vetëm që nuk ka qenë "në dietë", por ka shpenzuar më shumë se të gjitha paraardhëset e saj. Në këtë përfundim arrihet po të shohim shkeljet që ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në raportin për vitin 2007, KLSH-ja vëren se institucionet shtetërore kanë abuzuar me shpenzimet operative, veçanërisht me pagat dhe shpërblimet. "Në fushën e sistemit të pagave ka dëm në shumën e përgjithshme prej 57.8 milionë lekë të reja. Në fushën e shpërblimeve ka dëm në shumën e përgjithshme 115.6 milionë lekë. Në fushën e shpenzimeve operative ka dëm në shumën e përgjithshme të 52.7 milionë lekëve", - theksohet në raport. Pas ardhjes në pushtet, kryeministri Berisha propagandoi se kabineti i tij do të shkurtonte ndjeshëm shpenzimet operative dhe do të ishte qeveri "në dietë". Në buxhetin e vitit 2006, fondet për udhëtime jashtë shtetit, telefona, karburant, dieta etj ishin sa 2.6 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Një vit më vonë, më 2007-n, shpenzimet operative ishin parashikuar në të njëjtën masë dhe po ashtu edhe në vitin 2008. Shifrat tregojnë se qeveria nuk po kursen, por përkundrazi. Nga viti në vit, GDP-ja e vendit është rritur mesatarisht me 6 për qind, nëse i referohemi deklaratave të kryeministrit Berisha. Kjo do të thotë se edhe fondet për shpenzimet operative janë rritur në të njëjtën masë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, e ka konsidertuar në mënyrë konstante si një sukses nivelin e realizimit të shpenzimeve operative. Sipas të dhënave të këtij dikasteri, deri në fund të qershorit të vitit 2008 administrata qendrore shpenzoi 10.5 miliardë lekë në këtë zë të buxhetit që, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, do të thotë se institucionet shtetërore kanë shpenzuar 660 milionë lekë më shumë ose një rritje prej 6.8 për qind.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›