Shpenzimet operative, qeveria “hapi thesin” për vitin elektoral
Këtë vit, fondet e administratës shtetërore për shpenzime operative do të rriten me 900 milionë lekë. Kjo rezulton në udhëzimin e ministrit të Financave për hartimin e zbatimin e buxhetit. Fonde shtesë përfshijnë shpenzimet qeveritare për udhëtime, dieta, transporte dhe karburante. Konkretisht, sipas të dhënave që jepen në këtë udhëzim, përfitues i fondeve shtesë sipas kërkesave që janë kryer do të përfitojë Kuvendi në vlerën e 10 milionë lekëve. Për vitin e ardhshëm, ky institucion do të vazhdojë të jetë i privilegjuar. Përveç këtij fondi, do t'i alokohen edhe 20 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës. Një rritje të ndjeshme të fondeve me 40 milionë lekë do të përfitojë këtë vit edhe Prokuroria. Këto para do të shkojnë për shpenzime kancelarie dhe karburant. Po ashtu për vitin 2009, organi i akuzës do të përfitojë fonde në vlerën e 80 milionë lekëve për ndërtimin e prokurorisë në qytetin e Korçës. Po ashtu, Ministria e Financave ka miratuar kërkesën edhe të Avokatit të Prokurimeve për shtim të fondeve në zërin e shpenzimeve operative. Nga fondet e buxhetit të këtij viti, ky institucion do të përfitojë 1 milion lekë fonde shtesë, të cilat, sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, do të përdoren për shpenzime transporti dhe dieta. Gjithashtu, në listën e institucioneve që do të përfitojnë fonde shtesë për dieta dhe udhëtime do të jetë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë me 4 milionë lekë për karburant dhe dieta. Kurse Shërbimit Informativ do t'i akordohen 3 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit.
18 Mars 2009