E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Martit Tadic: Tani Kosovado shihet ndryshe

BEOGRAD-Presidenti i Serbisë, Boris Tadic vlerësoi se pas publikimit të raportit të Dik Martit, në të ardhmen në komunitetin ndërkombëtar problemi i Kosovës do të shihet nga një prizëm tjetër.

“Serbia ka pritur me vite para institucioneve ndërkombëtare për një raport të tillë. Kemi apeluar që të gjitha krimet të zbardhen, por këto apele në dekadën e kaluar nuk janë marrë seriozoisht. Tani, është një pamje tjetër dhe për këtë falenderojmë Dik Martin”, u ka thënë Tadic gazetarëve në bazën e Njësive Speciale Anti-Terroristë në Batajnicë.

Tadic ka vlerësuar se populli serb në vitet e kaluara në opinionin ndërkombëtar është paraqitur si fajtori i vetëm për të gjitha ngjarjet në ish RSFJ-në, por se pas raportit të Martit, një qëndrim i tillë sjelle një risi.

Ai ka kërkuar hetim gjithëpërfshirës dhe të gjerë, që nënkupton konfirmimin e saktë nëse ka pasur krime të tilla në Kosovë dhe konfirmimin se kush është fajtor. Tadic ka shfaqur shpresën se hetimi i gjerë i këtij rasti do të ndriçojë dhe procesin e krijimit sic e ka quajtur të “të ashtuquajturit shtetit të Kosovës”.
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse pas raporti ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, Tadic ka thënë se ai përfaqëson interesat publike të Serbisë dhe nuk sillet në publik sipas simpative personale.
“Shumë herë jam takuar me njerëz me të cilët nuk kemi asgjë të përbashkët. Kjo është puna ime. Edhe mjekët shërojnë njerëz me të cilët nuk i lidh sistemi i njëjtë i vlerave”, ka thënë Tadic.

Zyrtarët serbë takojnë Martin
Një zyrtar serb ka udhëtuar sot në Strasburg, në selinë e Këshillit të Evropës, për t’u takuar me senatorin Dik Martin, i cili javën e kaluar publikoi raportin mbi trafikimin ilegal të organeve, që siç pretendon raporti, është kryer nga disa pjesëtarë të UÇK-së.

Rasim Lajic tha se “Serbia nuk po kërkon asgjë, përveçse të vërtetën në lidhje më këto akuza”.

Raporti i Martit përmend edhe kryeministrin Hashim Thaçin se qëndron pas rrjetit që është marrë “me trafikim narkotikësh, por edhe me trafikim të organeve njerëzore”.
Kryeministri Thaçi ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur shpifje dhe gënjeshtra.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›