Raporti i Ministrisë së Mjedisit: Në dy ditë, rreth 30 vatra zjarri në gjithë vendin

Tiranë, 30 gusht, NOA Vetëm gjatë dy ditëve të fundit në gjithë territorin e vendit janë regjistruar rreth 30 vatra zjarri në gjithë vendin. Raporti i brendshëm i Ministrisë së Mjedisit evidenton se me gjithë problematikën e muajve të nxehtë të verës situata është nën kontroll.
Tepelena, Vlora dhe Saranda janë rrethet që
kanë pasur problemet më të mëdha dhe numrin më të madh të zjarreve të rëna gjatë
ditëve të fundit. Fikja e zjarreve është bërë nga forcat e policisë pyjore dhe
nga zjarrëfiksësit.
Sipas raportit të Ministrisë së Mjedisi në Sarandë nga data 28-30 gusht ka pasur 7 raste zjarresh.
Nga këto, tre raste në komunën e Dhivrit, zona e Grazhdanit dhe në Komunë e Livadhjasë, në zonën e Navaricës dhe në komunën e Lukovës,po ashtu dhe në zonë e Piqerasit.
Zjarret e mësipërm kanë përshkuar rreth 350 ha pyje, si dhe 1190 ha kullota nga ta cilat, 1020 ha kullota komunale, 40 ha kullota shtetërore dhe 170 ha kullota private.
Sipas Ministrisë për zjarrin e Grazhdanit është ndaluar një person për zjarrvënie të qëllimshme.
Në rrethin e Tepelenës, sipas Ministrisë së Mjedisit ka pasur 8 vatra zjarri në datat 28-30 gusht. Vatrat kanë qenë në kullotat komunale të komunave Lopës, e Qëndër.
Zjarret janë fikur nga shërbimi pyjor. Deri në momentin e raportimit nuk ka vatra zjarri aktive në këtë rreth, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Një numër i konsiderueshëm zjarresh ka rënë dhe në rrethin e Vlorës. Në këtë rreth gjatë dy ditëve ka pasur 6 vatra zjarri në kullota në zonën e Himarës, Gjormit, Tragjasit, Kotës dhe Pylli i Sodës.
Zjarret kanë djegur rreth 30 ha kullota komunale në komunat Brataj, Horë-Vranisht e Kotë. Ditën e sotme rreth orës 10 njoftohemi sa është aktive, por e izoluar, vetëm një vatër zjarri në Qafën e Shërgjergjit në komunën Horë-Vrabisht. Po punohet për fikjen e plotë të zjarrit, thuhet në raportin e Ministrisë së Mjedisit.
Ndërsa në rrethin e Pukës, në datën 29 gusht ka pasur 1 vatër zjarri në pyll komunal të llojit pishë, në zonën e Qelzës.
Ndërkohë që në rrethin e Fierit, zjarri i datës 26 gusht, i cili ra në një pyll pishe në afërsi të fshatit Kreshman në komunën Cakran është fikur në datën 28.
Në rrethin e Kukësit, Ministria e Mjedisit informon se janë të izoluara të dyja vatrat e zjarrit që kanë qenë aktive gjate datës 28.
Zjarri në pyjet e pishës në komunën Tërthore ka përshkuar rreth 1.5 ha, zjarri në zonën e Ujmisht ka përshkuar rreth 7 ha. Deri në momentin e raportimit nuk ka vatra zjarri aktive në këtë rreth, njofton Ministria.
Po ashtu një vatër zjarri ka qenë dhe në rrethin e Devollit, ku zjarri ka djegur rreth 20 hektarë .
Ministria e Mjedisit njofton se në rrethin e Tropojës, janë fikur të gjitha vatrat që kanë qënë aktive gjatë datës 28 gusht. Ditën e sotme nuk ka vatra zjarri aktive.
a.k/NOA