E Diel, 1 Nëntor 2026

METE: Koncensionet për të cilat akuzohet Bregu, në përputhje me kuadrin ligjor

Tiranë, 30 gusht, NOA Jam këtu sot në emër të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për të bërë transparencë në lidhje me projektin koncensionar të atakuar shumë ditët e fundit nga opozita, projektin e Zallit të Okshtunit, në lidhje me përfshirjen e kunatit të ministres së Integrimit, zonjës Bregu.

Kështu u shpreh sot në një konferencë për shtyp sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Durim Kraja

Dëshiroj të ndalem dhe të hedh dritë në aspektin teknik dhe ligjor të këtij projekti konçensionar, pasi kjo është detyra jonë për të cilën ne punojmë, të respektojmë ligjin, të mbrojmë dhe promovojmë biznesin dhe sipërmarrjen, të trajtojmë në mënyrë të barabartë, të mos diskriminojmë asnjë subjekt aksion mbajtës pavarësisht kombësisë, racës, gjinisë, krushqisë, tha ai ndaj akuzave të hedhura prej selisë rozë drejt ministres Bregu.

Sipas tij, procedura e ndjekur në lidhje me këtë koncesion, është në respekt të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, garanton biznesin dhe në të njëjtën kohë autoritetin publik për suksesin e saj.

Procedura e dhënies me koncension të këtij projekti koncensionar në hidroenergji ka filluar në muajin korrik të vitit 2008 me VKM përcaktës, me anë të së cilit është përcaktuar autoritetin kontraktor dhe i ka dhënë bonusin kompanisë, e cila ka përvijuar propozimin, konkretisht kompanisë Albani me tre pikë përqindje në total, dhe ka vazhduar me procedurë të hapur konkurruese, duke garantuar transparencën dhe konkurueshmërinë përgjatë këtij viti, duke përfunduar me shpalljen fitues të bashkimit të përkohshëm të gjashtë shoqërive shqiptare dhe miratimin e kontratës koncensionare nga Këshilli i Ministrave në datën 11 qershor 2009, sqaroi më tej përfaqësuesi i ministrisë së Ekonomisë.

Në fund, sqaroi sesi ky bashkim i përkohshëm ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe kriteret e vlerësimit, teknike, ekonomike dhe financiare, të përcaktuara në dokumentet e pjesëmarrjes në garë.

Shoqëritë fituese të këtij projekti në garë dhe që kanë lidhur kontratën më pas janë: Shoqëria 2 T shpk, shoqëria Mix Tecnic shpk, shoqëria Junion Distribution Service Albanian sh.pk, Albadi shpk, ME-AJ Energy shpk, Perxhola shpk.

Dua të theksoj se koncensionet për ndërtimin e hidrocentraleve janë investime tërësisht private, në të cilat investitori mban riskun e projektimit, dizenjimit të veprës, të ndërtimit, të operimit, të riinvestimit të teknologjisë, dhe të transferimit përsëri pas 35 vjetësh në favor të publikut. Nuk përbën favor, por një obligim të madh të ndërmarrë, që parashikon dhe penalitete të rënda në rast të mossuksesit, përfundoi Kraja.

n.e/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›