Rama me aleatët për reformën zgjedhore
Kryetari i Partisë Socialiste ka tentuar dje që të zbusë dallimet me qëndrimet e aleatëve të tij, të cilët nuk kanë qenë dakord me vijën politike që po ndjek selia rozë në këtë sesion të ri parlamentar. Gjatë mesditës së djeshme ai ka mbledhur në lokalin pranë selisë rozë pjesën e aleatëve të cilët nuk morën pjesë në takimin e javës së shkuar që ai zhvilloi te “Kullat Binjake”. Në takimin e djeshëm përveç Ramës kanë qenë të pranishëm kryetari socialdemokrat Skënder Gjinushi; ai i PLiDr, Spartak Ngjela; të dy mospjesëmarrës në drekën e shtruar nga Rama javën e shkuar. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka; si dhe Preç Zogaj. Takimi është konsideruar nga të pranishmit informal, megjithëse në të është folur në përgjithësi për situatën politike dhe veprimtarinë e opozitës në ditët në vijim. Mësohet se në këtë takim është rënë dakord që të martën e javës tjetër të organizohet një tryezë zyrtare e aleatëve, ku do të prezantohet edhe një platformë apo më saktë një axhendë veprimi i Opozitës së Bashkuar. Pas takimit pjesëmarrësit në të nuk kanë dashur të bëjnë komente, duke e cilësuar atë si informal. Megjithatë, në diskutimet që Rama ka patur me krerët e partive mësohet se është folur edhe për reformën zgjedhore, për të cilën pritet të hapet një debat i gjerë, pasi vetë selia rozë ka ngarkuar dy deputetët Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi që të negociojnë me aleatët lidhur me propozimet që këta mund të kenë për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë temë.