Raporti i ODIHR-it, Berisha: Jam gati të ndryshoj KQZ-në
Kryeministri Sali Berisha e cilëson objektiv dhe frymëzues raportin për zgjedhjet e 8 Majit. Fton Edi Ramën dhe partitë e tjera për të pranuar pikë për pikë rekomandimet e ODIHR-it. “Kushtetuta nuk do të ndryshojë. Zgjedhja e Presidentit ishte nën krizë për Shqipërinë”
Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar objektiv dhe frymëzues raportin e publikuar dje nga ODIHR-i për zgjedhjet e 8 Majit. Në një konferencë për shtyp, vetëm pak minuta pas publikimit të raportit, kryeministri Berisha ka shprehur me nota pozitive të gjitha konstatimet që bën raporti, duke u angazhuar në të njëjtën kohë që të bëjë të gjitha ndryshimet e nevojshme që mangësitë e hasura në këto zgjedhje të mos përsëriten më. “Deklaroj këtu se ky raport është objektiv, ky raport është edhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme. Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë, i vlerëson zgjedhjet vendore të majit në Shqipëri si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm”, - tha Berisha. Ai pohoi se ekipi i ODIHR-it vlerëson zgjedhjet transparente dhe kjo i bën një nder të madh tërë sistemit zgjedhor. Kreu i qeverisë i është referuar dhe çështjes së votave të gjetura në kutitë e gabuara për Bashkinë e Tiranës, dhe ka vlerësuar këtë proces si një test i rëndësishëm i funksionimit të shtetit ligjor. “Natyrisht, një garë e ngushtë siç ishte ajo e Tiranës ishte një test jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin në tërësi. Test që u kapërcye me sukses të plotë, njëlloj si në Florida”, - tha Berisha, duke shtuar se ODIHR-i thotë në një nga rekomandimet e tij që numërimi, vlerësimi e trajtimi i votave të hedhura në kuti tjetër duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor. Më pas, Kryeministri u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ku ka folur edhe për ndryshimet kushtetuese.
Zoti Kryeministër, a mund të nënkuptohen edhe ndryshimet kushtetuese në këtë raport?
Raporti nuk përmend në asnjë rresht dhe në asnjë vend probleme të Kushtetutës dhe ndryshimeve të saj. Kushtetuta e këtij vendi është thellësisht demokratike. Raporti ka një sugjerim kur thotë mund të konsiderohet ndryshimi i përbërjes së KQZ-së. Unë jam këtu për të deklaruar se pranoj pikë për pikë të gjitha rekomandimet si të vitit 2009, ashtu edhe të vitit 2011. Ftoj zotin Rama, Partinë Socialiste e partitë e tjera t’i përgjigjen me të njëjtën frymë.
Dua t’i referohem vendimeve të KQZ-së pas 8 majit, në Tiranë, ku thuhet në raport se KQZ nuk ka ndjekur procedurat, duke iu referuar Kodit Elektoral, përsa i përket numërimit të fletëve në kutitë e gabuara dhe se dy partitë e mëdha politike nuk i përmbushën detyrimet e tyre...
Ju lutem, lexojeni të plotë raportin për të dyja partitë, se çfarë thotë ai në pikën e parë të rekomandimeve, pikërisht për këtë që ju thoni. U përgatit një aktmarrëveshje, thotë raporti, e cila u firmos nga të gjitha forcat politike, përveç Partisë Socialiste të Shqipërisë. Çfarë mund të bëja më shumë. Unë nuk them se Partia Demokratike ishte e përsosur në të gjitha aspektet, por në këtë çështje raporti e ka të shkruar të zezë mbi të bardhë. Së dyti, të jemi realistë, vendimi i KQZ-së për të përfshirë në rezultatet votat e hedhura në kutinë gabim nuk kishte një dokument të shkruar mbi këto vota, por as KQZ-ja, as gjykatat, as kurrkush nuk mund t’i përjashtojë këto vota. Ndaj një nga rekomandimet është që të amendohet Kodi dhe të përcaktohet rruga e numërimit, vlerësimit e administrimit të këtyre votave. Pra, nuk diskutohet validiteti i tyre. Në rastin konkret, po ta lexoni më tej raportin, ai thotë se dy kolegjet zgjedhore i dhanë të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vendimin e tij. Pra, raporti nuk thotë tamam ashtu siç thatë ju, ka shprehjen se baza për ne është e paqartë, por kur vjen te çështja thotë se gjykata mbështet vendimin e KQZ-së, sikundër thotë se gjykata rrëzoi dy vendime të KQZ-së që kishin të bënin me median a diçka të kësaj natyre.
Ju garantuat opozitën për vullnet për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Zoti Kryeministër, a mendoni se duhet të ekzistojë i njëjti vullnet për ndryshimet kushtetuese, siç ndodhi në prillin e vitit 2008?
Ju garantoj se nuk do të kishte asgjë më qesharake dhe jo serioze në këtë vend, sesa të ndryshojë Kushtetuta çdo tre vjet, siç mendon ai që i vjen për shtat. Nuk po e personalizoj aspak çështjen me zotin Edi Rama, por e them për cilindo kush mund të jetë ky person dhe çfarëdo të jetë. Kurrë, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë në këtë mënyrë dhe do të ishte më qesharake dhe jo serioze për një vend, në qoftë se do të tallej me themelet e shtetit të vet në këtë mënyrë. Përse duhet të ndryshojë Kushtetuta? Do të thoni që të ndryshojë për zgjedhjen e Presidentit, pasi e kishim më mirë. Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se ai ishte një nen krize për Shqipërinë. Pra, ky mekanizëm prodhon vetëm krizë e zgjedhje të përsëritura, ndërkohë që mekanizmi tjetër, ai që kemi vendosur, të cilin e kanë edhe italianët, gjermanët, hungarezët, çekët, nuk të çon në zgjedhje. Imagjinoni, në Shqipëri ndodh ajo që nuk ndodh në asnjë vend. Presidenti nuk lihet i qetë as dy vjet e gjysmë në karrigen e tij, sepse sa kalojnë dy vjet e gjysmë fillojmë të ndryshojmë Kushtetutën, të diskutojmë të vëmë këtë apo atë, dhe fillon kështu një debat që është absolutisht i padrejtë. Institucioni është institucion. Kushtetuta përcakton se kur fillon procesi zgjedhor i Presidentit. Ndaj është kapitull i mbyllur, të paktën për sa kohë që të ekzistojë forca politike e qendrës së djathtë, Partia Demokratike.
Ju folët për raportin duke e cilësuar si një raport që shërben si bazë për progres...
Raporti thotë anët pozitive të këtyre zgjedhjeve, që shërbejnë si bazë për progres të ardhshëm. Po ta përkthejmë me gjuhën tuaj, nëse ishte një hap para apo prapa, ishte një hap para.