Shehu: Të bëjmë për reformën zgjedhore, jo ndryshimit të Kushtetutës
Deputeti demokrat Tritan Shehu kritikon zërat për ndryshimet kushtetuese, duke pohuar se mënyra e re e zgjedhjes së kreut të shtetit nuk është provuar ende
Shtohen zërat e djathtë që kundërshtojnë idenë e hedhur nga socialistët për të ndryshuar Kushtetutën. Pas Gumit e Nishanit, edhe deputeti tjetër demokrat Tritan Shehu shprehet kundër një reforme të tillë kushtetuese, aq më shumë kur në qendër të synimeve të opozitës janë bërë nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e kreut të shtetit. Sipas tij, neni që përcakton mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit u ndryshua në vitin 2008 dhe ato nuk janë zbatuar ende në praktikë. “Ndaj- thekson Shehu -nuk ka kuptim që të kërkosh të ndryshosh diçka të cilën nuk e ke provuar ende në praktikë. Nuk mund të kërkosh ndryshimin e kushtetutës sot për elementë që është ndryshuar kushtetua në vitin 2008 dhe nuk janë vënë në provë akoma. Efekti i tyre nuk është provuar. Pra, kemi ndryshimet që lidhen me zgjedhjen e Presidentit, që ende nuk janë vënë në provë. Ndryshimet e tjera që lidhen me Kodin Zgjedhor, me procesin zgjedhor, janë vënë në provë dhe kanë rezultuar mirë. Zgjedhjet janë zhvilluar mirë, si më 2009 ashtu edhe më 2011”, - tha dje Tritan Shehu.
Nga ana tjetër, ai bashkohet me argumentet e dhëna nga kolegët e tjerë të tij të djathtë, se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që kërkon njëra forcë politike, pasi ajo nuk është një ligj i thjeshtë. “Nuk mund të kërkosh dhe të ndryshosh Kushtetutën sa herë që do. Kushtetuta është një dokument madhor dhe ndryshimi i Kushtetutës është një element që lidhet me stabilitetin e vendit dhe nuk mund të ndryshohet çdo ditë, nëse e kërkon dikush. Nëse kryetari i PS-së deklaron se gaboi kur bënë ndryshimet në vitin 2008, atëherë kush na garanton se s’do gabojmë edhe kësaj here. Prandaj duhet të jemi seriozë”, - u shpreh Shehu, ndërsa ka deklaruar se ajo ku duhet të fokusohet politika në ditët në vijim është reforma zgjedhore. Përsa i përket kësaj të fundit, Shehu thotë se ajo nuk mund të kushtëzohet me ndryshimet në Kushtetutë.