E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i OSBE-ODIHR Wolfarth Ngerci bllokoi reformat

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Ojgen Volfart paraqiti raportin vjetor për Shqipërinë para këshillit të përhershëm të OSBE në Vjenë. Në vlerësimin e tij për situatën politike ai thekson se ngërci politik mbajti të bllokuar axhendën e reformave. Ai vlerëson se duhet të nisë sa më parë puna për reformën zgjedhore, në të kundërt mund të ketë një dështim tjetër.

Në raport thuhet se me bojkotin e parlamentit opozita nuk e kreu detyrën e saj kushtetutese. Duke hedhur një vështrim të së ardhmes të zhvillimeve në Shqipëri në raport thuhet se duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël. Sipas ambasadorit Volfart, mesazhi është i thjeshtë: "Mjaft kohë është humbur deri tani”.

“Nëse vërtet doni t'í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave", thotë ambasadori Volfart në raportin e tij.

“Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë - në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!”, thuhet ndër të tjera në raportin e kreut të OSBE-së, Ojgen Volfart.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›