E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Senatit amerikan: Bin Laden mund të kapej

Në dhjetor të vitit 2001, Osama Bin Laden ishte i rrethuar dhe trupat amerikane, pa asnjë pikë dyshimi, ishin shumë afër kapjes së tij. Numri një i Al Qaeda-s gjendej në Tora Bora, në Afganistan, por drejtuesit ushtarakë morën vendimin të mos e sulmonin me të gjitha forcat në dispozicion. Këtë tregon një raport i paraqitur në Senatin amerikan për Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë nën titullin shumë domethënës "How we failed to get bin Laden and why it matters today" (Si dështuam në kapjen e Bin Ladenit dhe pse kjo është shumë e rëndësishme sot). Në dosierin e publikuar në faqen e internetit të Senatit, që do të prezantohet të hënën dhe ku supervizori kryesor i të cilit është senatori John Kerry, lexohet se falimentimi në kapjen e liderit të Al Qaeda-s tre muaj pas sulmit të kullave binjake ka pasur pasoja të tmerrshme për një kohë të gjatë dhe mbi të gjitha hodhi bazat e mëtejshme për luftën ndaj talebanëve në Afganistan dhe për konfliktet e brendshme që ndodhin aktualisht në Pakistan. Raporti akuzon sekretarin e atëhershëm të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, dhe ish-komandantin Tommy Franks, se ky ishte një vendim me pasoja shkatërrimtare, pasi talebanët sa kanë ardhur dhe janë forcuar, ndërsa NATO nuk po sheh asnjë dritë jeshile pas tetë vitesh luftë në Afganistan. Nuk është hera e parë që Kerry, kandidati demokrat për presidencën në 2004-n, flet për dështimin e kapjes së Osama Bin Ladenit që në vitin 2001. Prej vitesh senatori akuzon administratën "Bush" se i kishte shpëtuar pa kapur sheiku i terrorit, në malet e Afganistanit, tre muaj pas 11 shtatorit. Në prezantimin e raportit, që do të publikohet të hënën, pikërisht në prag të lajmërimit të Presidentit të SHBA-së, Barak Obama mbi shtimin e trupave të nevojshëm për të "çuar deri në fund punën kundër talebanëve dhe Al Qaeda-s", John Kerry, presidenti i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit shkruan: "Kur nisëm luftën, më pak se një muaj pas sulmeve të 11 shtatorit, objektivi ishte shkatërrimi i Al Qaeda-s, vrasja apo kapja e liderit të saj, Osama Bin Laden, dhe personazheve të tjera të rëndësishme. Mosaftësia jonë për ta mbyllur këtë punë në fund të vitit 2001 ka kontribuuar në konfliktin e sotëm, që po vë në rrezik jo vetëm trupat tanë dhe të aleatëve tanë, por edhe stabilitetin e një rajoni shumë të rëndësishëm e të paqëndrueshëm". Edhe njëherë, raporti i udhëhequr nga senatori Kerry, ish-kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë më 2004-n, kundër George W. Bush, "Si dështuam të kapnim Bin Ladenin dhe pse kjo është shumë e rëndësishme sot", denoncon: "Largimi i liderit të Al Qaeda-s nga fusha e betejës tetë vjet më parë mund të kishte eliminuar kërcënimin ekstremist të botës. Por vendimet që i hapën rrugë arratisjes së tij në Pakistan lejuan Bin Ladenin të dalë si një figurë e fuqishme simbolike, që vazhdon të tërheqë flukse konstante parash dhe të frymëzojë fanatikë në të gjithë botën. Dështimi për t‘i dhënë fund kapjes së tij përfaqëson një mundësi të humbur, që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e konfliktit në Afganistan dhe të ardhmen e terrorizmit ndërkombëtar". Dokumenti i bazuar edhe te të dhënat e paklasifikuara të qeverisë dhe tek intervistat e pjesëmarrësve në operacion, mbështet me siguri se lideri i Al Qaeda-s fshihej mes maleve të Tora Boras në një moment kur SHBA-ja kishte mjetet e mjaftueshme për të nisur një operacion të shpejtë ku të përfshiheshin mijëra njerëz. "Osama Bin Ladenin e kishim në dorë në Tora Bora. I rrethuar në një nga vendet më të papërshkrueshme të tokës, ai dhe dhjetëra njerëz të tij u rezistuan të palodhur bombardimeve amerikane, thuajse 100 sulmeve në ditë". Lideri i Al Qaeda-s pritej që të vdiste. Dëshirat e tij të fundit dhe testamenti i tij i shkruar më 14 dhjetor reflektojnë për fatalizmin e tij. Ai i jepe udhëzime gruas të mos rimartohej dhe u kërkonte falje fëmijëve të tij që iu dedikua xhihadit", shkruhet në raportin e demokratëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›