E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neritan Ceka Më mungon koha për letërsinë artistike

Autori i Lajmit: Denisa Kona
-Neritan Ceka, politikan, arkeolog dhe së treti lexues...Të qëndrojmë tek kjo e treta
Edhe autor..Panairi është një lloj biznesi libri, por është edhe një ditë kulture. Një pjesë e madhe e vizitorëve nuk vijnë për të blerë. Janë lexues që i kanë nga një herë librat që u duhen, por këtu vijnë në një lloj feste. Shumica vjen për të “kullotur”sytë.

-Edhe ju keni ardhur në panair “për të kullotur sytë”?

Unë jam nga ata që ble pak libra dhe shikoj shumë. Se edhe duke parë, edhe titulli, autori, thonë diçka, është njefarë kulture. Por për mua është çështje kohe, kam njëlloj dëshpërimi që takohem vonë me ca libra, takohem vonë me ca autorë...

-Atëherë si e vendosni balancën midis dëshirës për të lexuar letërsi artistike dhe nevojës për të lexuar librat që ju duhen?

Besoj, 1 me 10. Letërsia që nuk është gusto e moshës sime, nuk është pjesë e bibliotekës sime. Ndërsa historia, arkeologjia, kujtimet politike, librat filozofikë, ky është ambienti ku unë futem dhe e ndiej veten mirë. Ajo që vlen për shpirtin, është ndonjë roman i rrallë.

-Me këtë selektim që bëtë në këtë panair, çfarë zgjodhët për bibliotekën tuaj?

Kam marrë vepra të karakterit të kujtimeve përshembull, i fundit që bleva Bernard Kushner “Luftëtarët e paqes”, Fjala e djallit” që bën fjalë për diktatorët, kam marrë disa libra filozofie, më interesojnë edhe botimet për Kosovën. Kam marrë edhe librin e mikut tim Preç Zogaj, një përmbledhje e librave që ka bërë më parë, në një të vetëm.

-Ju blini librat e kolegëve për të ditur se ku janë edhe për tu bërë qejfin ndoshta?

Jo, nuk kam kohë të lexoj për tu bërë qejfin. I marr kur e di që libri edhe personaliteti përputhen.

-Ky ka qenë panairi më i zhurmshëm i politikanëve-shkrimtarë. Keni refleksion rreth këtij fakti?

Për promovime po, por nuk mendoj se ka ndonjë sasi të madhe politikanësh që shkruajnë. Por është mirë që disa prej tyre shkruajnë, shkruajnë në formën e kujtimeve kryesisht...

-Kjo tregon se u ka ardhur pleqëria

Jo, por është mirë ta shkruash menjëherë, se ta lësh për një kohë të shtyrë. Është gabimi më i madh, pasi kështu i harron gjërat, i thjeshton. Libri më i mirë i kujtimeve është ai që botohet menjëherë pas ngjarjeve. Pastaj ka humbje.

-Këta librat masonikë ju tërheqin?

Nuk më interesojnë ata. Mund të kenë vlerën e tyre, por është një lloj libri që nuk më tërheq. Të them të drejtën, nuk kam lexuar ndonjë gjë prej tyre.

-Si autor tani. Ju keni një botim të ri. Janë libra për një rreth të ngushtë lexuesish, për studiues, kolegë?

Kam disa botime të reja të këtij viti. Janë libra që lidhen me arkeologjinë, por janë të karakterit shkencor popullor që bëjnë pjesë në kulturën e përgjithshme dhe mund ti ketë kushdo në librarinë e shtëpisë së tij, Është një libër tjetër për Antigonenë dhe historinë e Pirros. Njëherësh kam qenë redaktor i disa librave të udhëtarëve anglezë që kanë vizituar pashallëkun e Ali Pashës në vitet 1804-1812. Janë të karakterit historik, por janë përshtypje udhëtimi ku ka detaje interesante. Kam redaktuar një libër të babait tim, “Monedhat e Dyrrahut të Apollonisë” dhe një libër për Mallakastrën. Është një vepër nga Taki Sadiku, që nuk jeton sot, por që kishte lënë një vepër trashëgim. Unë e nxora në dritë me ndihmën e familjes së tij.

-Pra, jeni shndërraur nga arkeolog nënthemelesh e shtresash tokësore, në në arkeolog që kërkon nëpër rreshta, arkiva edhe familjare...

Mendoj se paraqitem me këto botime edhe si një rizbulues i disa veprave, që kanë vlera të përhershme.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›