"Qeverisja e botës nuk bëhet me OKB-në, FMN-në e Bankën Botërore"
Në Milano të Italisë është zhvilluar Forumi Ndërkombëtar i Ekonomisë dhe shoqërisë së hapur. Ky është një forum ndërkombëtar, i promovuar nga universiteti "Bocconi" dhe nga gazeta italiane "Corriere della Sera", si një reflektim i ndryshimeve ekonomike dhe sociale, të nevojshme për të rilançuar rritjen dhe zhvillimin, duke mbrojtur mirëqenien e individëve dhe barazinë e tyre. Reflektimi fokusohet mbi të gjitha në tri linja kryesore: rritja ekonomike dhe kompeticioni, kohezioni social, shteti i së drejtës. Pas ditëve të organizuara në Milano në maj të 2007-ës dhe para rinovimit të një eksperience të të njëjtave përmasa në 2009-ën, forumi i është dedikuar gjatë këtij viti takimeve dhe debateve në kryeqytetet kryesore evropiane. Në takimin e 2007-ës, të zhvilluar në datat 9-12 maj po në Milano, forumi debatoi gjerësisht mbi tema si rritja ekonomike, demokracia, emigracioni, kapitalizmi financiar, shëndeti dhe kapitali njerëzor. Takimi i Parisit, më 11 dhe 12 mars 2008, ishte në të vërtetë etapa e dytë e forumit ku u diskutua mbi hapjen e shoqërisë ndaj reformave. Ndërsa këtë radhë, në datat 12-14 maj, tema e forumit ishte: "Të menaxhojmë globalizimin", shtrirja e të mirave të tij në tërë shoqërinë dhe ky ka qenë objekti i diskutimeve të tri ditëve milaneze. Në nëntor, do të jetë Madridi, etapa e radhës e Forumit Ndërkombëtar të Ekonomisë dhe Shoqërisë së Hapur. Në këtë rast, në qendër të diskutimeve, do të jetë inovacioni. Qyteti-laborator i modernizimit evropian, është zgjedhur jo rastësisht për të trajtuar këtë temë, inovacionin. Kryeqyteti spanjoll do të mirëpresë etapën e fundit të edicionit të sivjetshëm të forumit. Gjithsesi, duke u kthyer në Milano: këtë vit ishin të pranishëm në forum 80 lektorë në shtatë seli të ndryshme dhe 14 debate në të cilat u morën pjesë më shumë se 4 mijë pjesëmarrës. Veç tyre, pati edhe një seri kontaktesh direkte në internet mes të cilave u aktivizuan shumë të rinj. Pjesëmarrësit vunë në dukje se asnjëherë më parë nuk ishte diskutuar kaq thellë për problematikën dhe koston e globalizimit. Një ndër kostot, e individualizuar edhe në diskutime, është edhe humbja e diversitetit. E në këtë drejtim, sipas organizatorëve të forumit, integrimi evropian ka shumë për të mësuar. "Ankohemi gjithnjë për 25 gjuhët e ndryshme të bllokut apo për problemet e shumta, por ndoshta në një plan afatgjatë, modeli evropian e bën shumë më të pranueshëm globalizimin", thanë ata. "Lamtumirë OKB-së, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të gjitha atyre institucioneve të mëdha që përfaqësojnë ekuilibrat politikë tashmë të lënë pas shpine. Bota e globalizuar ka nevojë për të tjera forma qeverisjeje. Ky ishte në fakt mesazhi që doli në përfundim të punimeve të forumit. "Sot jemi përballë një integrimi sistematik, në rritje, por vazhdon të mungojë integrimi social", tha Alberto Martineli, doktor shkencash politike në Universitetin e Studimeve të Milanos. Për të parën herë në histori, banorët e globit janë përfshirë në rrjete raportesh sociale që tentojnë drejt globales. Sistemet prodhuese dhe tregjet janë të koordinuara në shkallë globale, mesazhet dhe imazhet televizive mbërrijnë deri te masat e mëdha të shpërndara në të gjitha qoshet e planetit, por gjithë kësaj nuk i korrespondon një konsensus normativ që themelon institucionet e qeverisë së shoqërisë botërore mbi baza të mbështetura". Rezultati pra, është rritja e mërive dhe pasigurisë mes njerëzve, tendenca për t‘u mbyllur në vetvete dhe refuzimi i ndryshimeve. Ndërsa sipas Helmut Vilke, nga Universiteti i Bielefeld, "rendi i ri" për të cilin ka nevojë bota e globalizuar, duhet të bazohet mbi forma të reja qeverisjeje që përfshijnë edhe organizmat e përfaqësimit të nevojave sociale dhe organizma të zgjidhjes së kontrasteve dhe përcaktimit të standardeve të pranuara nga të gjithë. Në këtë kuptim, mund të reformohen pra institucione Organizata Botërore e Tregtisë apo Banka Qendrore Evropiane. Ndërsa organizma të tjera nga OKB deri te FMN, i përkasin tani vetëm të shkuarës.