E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i “Mjaft”: Në 20 raste, Kuvendi ka shkelur rregulloren

TIRANE- Të paktën në 20 raste, kuvendi ka shkelur rregulloren e funksionimit të tij. Në këtë përfundim ka arritur një studim i realizuar nga lëvizja Mjaft. Sipas Mjaft për periudhën shtator 2009- korrik 2010, Partia Demokratike ka realizuar në Kuvend vetëm 9.8% të nismave ligjore të premtuara për elektoratin në fushatë.

Ndërkaq sipas raportit te Mjaft, LSI ka arritur të realizojë vetëm 7.7% të premtimeve elektorale, nëpërmjet aktivitetit që ka ushtruar në Kuvend. Grupi kuvendor socialist ka mundur të realizojë veçse 1.4% të premtimeve të veta elektorale, për shkak të bojkotit parlamentar.

Në raportin e Mjaft, evidentohen 16 nisma ligjore të miratuara në dhunim të nenit 57 të rregullores, që duhet të ishin shpallur të pavlefshme. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar rastet e shkeljes së nenit 62 të Rregullores, sa i takon respektimit të etikës parlamentare.

Mjaft publikon edhe të dhënat e pasurive të deputetëve, ku deputeti më i pasur rezulton të jetë deputeti socialist Tom Doshi, me rreth 3 miliardë lekë, i ndjekur nga deputeti PS, Ndue Kola dhe më pas Fidel Ylli. Në listën e deputetëve më të pasur janë edhe Dritan Prifti dhe numri dy i qeverisë Ilir Meta.

(e.n/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Raporti i “Mjaft”: Në 20 raste, Kuvendi ka shkelur rregulloren

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›