Raporti i plotë i ODIHR: Pse janë dështim zgjedhjet e 28 qershoritNga TemaZgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor në Shqipëri shënuan progres të prekshëm për sa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Raporti i plotë i ODIHR: Pse janë dështim zgjedhjet e 28 qershoritNga TemaZgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor në Shqipëri shënuan progres të prekshëm për sa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore, dhe procesit të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, një proces që më parë kishte qenë burim polemikash.
Këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit nga partitë politike, si edhe nga shkeljet që u vëzhguan gjatë fushatës zgjedhore, elementë këto që zbehën besimin e publikut në procesin zgjedhor. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore, dhe atmosfera ishte e përmirësuar. Procesi i votimit u vlerësua si pak më shumë pozitiv se në zgjedhjet e tjera, megjithëse u vëzhguan një sërë shkeljesh procedurale. Do të ishte e parakohshme të bëhej një vlerësim përfundimtar në këto momente, pasi elementët kyçë, si numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve, nuk kanë përfunduar ende. Vlerësimi përfundimtar do të varet në një masë të konsiderueshme nga zhvillimi i këtyre fazave të procesit zgjedhor.
Në vijim të rekomandimeve të bëra kohë më parë, qeveria bëri përpjekje të konsiderueshme për të hartuar një regjistër elektronik të gjendjes civile dhe për të pajisur të gjithë zgjedhësit me kartë identiteti. Gjithsej, u shpërndanë 1.321.376 karta identiteti, dhënë edhe zgjedhësve pa pasaportë, kjo e fundit ishte edhe mënyra tjetër e vetme për identifikimin e zgjedhësve. Rreth 81.000 karta identiteti mbetën të patërhequra deri ditën e zgjedhjeve. Megjithatë, nisja me vonesë e shpërndarjes së kartave të identitetit, mungesa e kapaciteteve administrative dhe të metat teknike kontribuuan që kjo çështje të bëhej një nga çështjet më të kontestuara të këtyre zgjedhjeve. Ka pasur raste, ku aktivistët e PD kanë ndërhyrë në mënyrë të panevojshme. Partitë opozitare, në veçanti Partia Socialiste (PS), pretenduan se procesi ishte kompromentuar nga manipulimet me motivime politike, shpesh pa i konkretizuar akuzat e tyre; në disa raste këto aludime dukeshin të pabazuara.
Kuadri ligjor që prezantoi sistemin e ri të përfaqësimit rajonal proporcional, përcakton një bazë të plotë teknike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, nëse zbatohet me mirëbesim nga autoritetet dhe partitë politike. Megjithatë, lipsen përmirësime të tjera në mënyrë që Kodi Zgjedhor të jetë në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE dhe standardet e Këshillit të Evropës.
Fushata zgjedhore u zhvillua në një klimë politike tepër të politizuar, dhe si në zgjedhjet e mëparshme, u karakterizua nga një numër i madh aludimesh kundër partive në pushtet për shkelje zgjedhore. Fushata ishte aktive dhe e gjallë në shumë rajone, me një numër partish që konkurronin në zgjedhje duke u ofruar votuesve zgjedhje të vërtetë.
Në përgjithësi, klima e zgjedhjeve ishte e qetë me disa raste dhune dhe me përdorim të herëpashershëm të një gjuhe të ashpër. Pati një sërë aludimesh presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe studentëve që të merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD apo që të shmangnin aktivitetet e opozitës. Disa prej tyre ishin aludime me baza. Veprimi i lartpërmendur do të binte ndesh me Paragrafin 7.7 të Dokumentit të OSBE të Kopenhagës të vitit 1990. Në mënyrë të përsëritshme qeveria përdori aktivitetet zyrtare për fushatë partiake, ashtu siç bëri edhe kryetari i PS, edhe pse në një masë më të vogël. Pati aludime keqpërdorimi të burimeve administrative nga PD në pushtet, disa prej të cilave u vërtetuan. Kjo bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe shkel Paragrafin 5.4 të Dokumentit të OSBE së Kopenhagës nxjerrë në vitin 1990, i cili flet për një ndarje të qartë mes partive politike dhe shtetit.
Dështimi i qeverisë me kartat e identitetit
Procesi administrativ u pengua nga afatet kohore të kufizuara, mungesa e kapaciteteve administrative dhe mangësitë teknike. Vëzhguesit afatgjatë të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR vunë re ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe internetit, si dhe defekte dhe ndërrime të pajisjeve gjatë orëve të punës. Megjithatë, të gjitha këto probleme erdhën si pasojë e afateve kohore të kufizuara, mungesës së kohës për të trajnuar siç duhet stafin administrativ dhe përfshirjen e 383 Njësive të Qeverisjes Vendore, të cilat të gjitha së bashku shkaktuan të meta në administrim dhe kapacitete.
Te shumë vëzhgues afatgjatë të Misionit të OSBE/ ODIHR janë sjellë pretendime të përfshirjes së panevojshme të aktivistëve të PD në proces. Raste të tilla u konfirmuan në qarkun e Vlorës dhe Korçës. Gjithashtu, ata kanë konfirmuar raste të shpërndarjes së kartave të identitetit mbi baza përzgjedhjeje dhe përpunimit më të shpejtë të të dhënave të aplikimit në favor të mbështetësve të PD, si për shembull në qarkun e Fierit dhe Durrësit. Pretendimet e tjera nuk u konfirmuan.
Në aspektin politik, mosmarrëveshja më e madhe erdhi si pasojë e dështimit të qeverisë për të dhënë shifra të besueshme për ecurinë e procesit të aplikimit të atyre shtetasve që nuk kishin pasaportë. Kjo çështje u ndërlikua edhe më tej nga fakti se nga 730,000 shtetas që nuk kishin pasaportë të vlefshme, një numër i madh (vlerësimet variojnë nga 160,000 te 250,000) mendohet të jenë jashtë vendit, pa dokumente të vlefshme identiteti. Qeveria siguroi për KQZ dhe partitë politike disa lista që përmbanin informacione mbi të dhënat e shtetasve, si dhe shifra për ecurinë e aplikimeve për karta identiteti dhe procesin e shpërndarjes. Por, siç duket, shifrat kontradiktore në lidhje me këtë proces të dhëna nga MB ulën besimin e publikut në saktësinë e informacionit të dhënë nga qeveria, dhe kështu që nxitën shumë aludime.
Një kërkesë shtesë e bërë nga PS për të
siguruar një listë të shtetasve që kanë pasaportë u refuzua nga qeveria, duke iu referuar rëndësisë së mbrojtjes së të dhënave.
Dy kategori zgjedhësish të paktën pjesërisht humbën të drejtën e votës gjatë procesit e hartimit të listave të zgjedhësve dhe shpërndarjes së kartave të identitetit.
Drejtuesit e burgjeve të Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, përfshinë vetëm një pjesë të të dënuarve në një qendër votimi të veçantë. Përfaqësuesit e organizatave që lobojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara thanë për MVZ e OSBE/ODIHR që shumë nga këta persona nuk mundën të aplikonin për kartë identiteti, sepse nuk shkonin dot te qendrat e aplikimit.
Mazhoranca përdor inaugurime të sajuara për fushatë
Qeveria ka përdorur aktivitetet zyrtare për qëllime fushate në mënyrë të përsëritshme, duke zbehur dallimin mes aktiviteteve shtetërore dhe atyre të fushatës, gjë që është në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE. Inaugurimet e projekteve infrastrukturore, të bëra nga kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të lartë të PD, kanë qenë shumë të shpeshta gjatë periudhës parazgjedhore, edhe në ditët shumë pranë ditës së zgjedhjeve. Në to merrnin pjesë turma të mëdha njerëzish që valëvisnin flamujt e PD, vendoseshin materiale zgjedhore dhe mbaheshin fjalime me karakter të qartë zgjedhor.
Në disa raste ka pasur pretendime se këto inaugurime ishin të sajuara. Për shembull, materniteti i rikonstruktuar në Durrës, i cili i përurua nga kryeministri, u zbulua pak më vonë se nuk ishte funksional.
Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i kanë ardhur një sërë pretendimesh se disa shkolla mbylleshin që nxënësit të mund të merrnin pjesë në këto inaugurime dhe në aktivitetet e fushatës së PD; disa nga këto pretendime u vërtetuan. Punonjësve të bashkisë dhe mësuesve iu kërkua të merrnin pjesë në inaugurimin nga kryeministri të një hidrocentrali në Bushat (qarku Shkodër) më datë 23 maj.
Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka përdorur aktivitetet zyrtare për të bërë fushatë për PS. Në mënyrë të veçantë, në aktivitetin e organizuar nga qyteti i Tiranës më datë 21 qershor me rastin e Ditës Botërore të Muzikës, në skenë ishte shumë i dukshëm numri “33”, që është numri i PS në fletën e votimit.
Pretendime ka patur në lidhje më abuzimin që PD ka bërë me burimet administrative, si makinat dhe ndërtesat zyrtare, si dhe përfshirjen e punonjësve të sektorit publik për qëllime fushate, çka është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Në tri raste, në Shijak (qarku Durrës), dhe në qytetet e Elbasanit dhe Korçës, vëzhguesit afatgjatë të MNVZ kanë parë kamionë të kompanisë OSSH, sektori i privatizuar i kompanisë shtetërore energjitike të shpërndarjes së energjisë elektrike KESH, duke vendosur flamuj të PD.
Kritika të shumta për punën e medias
Hapësira e gjerë mediatike dhe numri i madh i medieve u dha mundësinë partive t’u drejtoheshin votuesve dhe u ofruan atyre një gamë të gjerë këndvështrimesh. Megjithatë, ekziston shqetësim për mungesën e pavarësisë editoriale në shumicën e medieve, shkaktuar nga mungesa e transparencës në lidhje me pronësinë e tyre. Interesat partiake dhe të biznesit të pronarëve të televizioneve e kufizojnë nivelin e kritikave dhe vënë në rrezik detyrimin e medieve për të ruajtur pluralizmin e brendshëm dhe paanësinë në programet informuese.
Mungesa e kulturës së vetë-rregullimit dhe situata e punësimit të pambrojtur te shumë gazetarë kontribuon në kontrollimin ose dominimin e transmetimeve nga interesat partiake apo të bizneseve. Kodi Zgjedhor përmban rregulla të detajuara për pasqyrimin e fushatës në edicionet e lajmeve të operatorëve mediatikë privatë dhe publikë. Ai parashikon dhënien e kohës falas për partitë politike në radion dhe televizionin publik dhe kufizon sasinë e kohës me pagesë që mund të blihet nga subjektet politike në transmetuesit privatë.
Bordi i Monitorimit të Medias (BMM), i ngritur nga KQZ dhe që është organi kryesor për monitorimin e medieve radiofonike dhe televizive gjatë fushatës, për kryerjen e detyrave të tij, mbështetet te kapacitetet teknike të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT). Njësia monitoruese e KKRT llogarit vetëm të dhënat sasiore, pra shifrat për sasinë e kohës që u jepet subjekteve politike, por jo cilësinë, pra tonin e pasqyrimit.
Kjo mangësi metodologjike nuk bën të mundur të përcaktohet, nëse transmetuesit i përmbahen detyrimit të tyre ligjor të paraqitjes së një “pluralizmi informacioni”. Kodi Zgjedhor përcakton se koha e caktuar për mbulimin e veprimtarive qeveritare që kanë lidhje me fushatën zgjedhore duhet të përfshihet në kohën e partisë, së cilës i përket kreu i institucionit që organizon veprimtarinë. Si pasojë e mungesës së përkufizimit në Kodin Zgjedhor, vlerësimi se cilat veprimtari qeveritare janë të lidhura me fushatën mbetet në dorën e anëtarëve të BMM. Rastet kur kryeministri fitonte avantazh duke bërë fushatë në funksionin e tij institucional u debatuan brenda BMM. Katër anëtarët e BMM, të caktuar nga anëtarët e KQZ të emëruar nga shumica parlamentare, i cilësuan ato si aktivitete institucionale, tre anëtarët e tjerë si të lidhura me fushatën. Ky vlerësim solli deklarata të ndara në raportet e BMM dhe tregoi mungesë pavarësie të anëtarëve nga interesat partiake.
Një numër i madh i medieve elektronike dhe atyre të shkruara u caktuan partive politike hapësirën për ta përcjellë mesazhin e tyre te votuesit. Monitorimi i medias nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR për periudhën nga fillimi i fushatës zyrtare më 28 maj deri më 26 qershor, tregoi më tepër ekuilibër në pasqyrimin sasior të dy partive “të mëdha” sesa në periudhën para fillimit të fushatës zyrtare. Televizioni publik TVSH i caktoi 45% të kohës PD dhe 25% PS. PD iu dha 37% dhe PS 28% të pasqyrimit në Vizion Plus. TV Klan i kushtoi 56% të kohës televizive PD dhe 30% PS. Dy nga pesë televizionet e monitoruara i caktuan PD dhe PS sasi pak a shumë të barabarta të kohës televizive. News 24 i dha 38% të pasqyrimit PD dhe 37% PS, kurse Top Channel i kushtoi 30% PD dhe 35% PS. Megjithëse u caktuan dy partive “të mëdha” kohë pak a shumë të barabartë televizive, News 24 dhe Top Channel vazhduan të tregonin njëanshmëri në favor të PS, për sa i përket tonit të pasqyrimit. Vizion Plus tregoi qëndrim negativ ndaj PD, ndërsa shumica e pasqyrimit të PD dhe PS në televizionin publik dhe në TV Klan kishte ton pozitiv.
Njëanshmëria e treguar nga shumica e televizioneve të monitoruara, si në aspektin cilësor, ashtu edhe sasior të pasqyrimit, tregon një mungesë të theksuar të pavarësisë editoriale. Gazetarët e punësuar nga të gjitha kanalet e monitoruara na informuan se pasqyrimi i fushatës përfundon shpesh në filmime e komente të bëra e të sjella nga partitë politike.
Gratë u përdorën sa për dekor elektoral
Kodi Zgjedhor përcakton që listat e partive për secilën zonë zgjedhore duhet, ose të përmbajnë 30% nga secila gjini, ose të paktën një nga tre kandidatët e parë në listë të ishin nga secila gjini. Pra, teorikisht, partitë me 30% gra të vendosura të gjitha në fund të listave do të ishin brenda rregullave.
Ligji gjithashtu nuk arrin të përcaktojë kufi për numrin e kandidatëve që mund të vendosen në listë, në varësi të numrit të përgjithshëm të mandateve të zonës përkatëse. Në disa raste partitë, listat e të cilave duhet të ktheheshin për korrigjime, pasi nuk i përmbushnin kërkesat gjinore, vetëm sa shtuan gra në fund të listës, duke e kaluar numrin e mandateve që mund të fitoheshin në zgjedhje. Megjithëse KQZ vendosi që lista të tilla ishin në përputhje me Kodin, plotësimi i kritereve në atë formë ishte në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e dispozitave ligjore që nxisnin pjesëmarrjen e grave. Për këto zgjedhje, 61% e listave u miratuan pa mundësinë e 30 përqindëshit, 19% u miratuan pa mundësinë e tri vendeve të para, ndërsa 43% i përmbushën të dyja kriteret. Listat e tri zonave u regjistruan pa përmbushur asnjërin nga kriteret.
Aspektet pozitive të procesit zgjedhor
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) administroi përgatitjet teknike të zgjedhjeve në mënyrë profesionale dhe përgjithësisht brenda afateve kohore ligjore.
- Procesi i regjistrimit të listave të kandidatëve të partive politike, si edhe regjistrimi i një kandidati të pavarur, u kryen në mënyrë gjithëpërfshirëse.
- Zgjedhësve iu ofrua një gamë e gjerë këndvështrimesh në sajë të numrit të madh të transmetuesve dhe medias së shkruar, të cilat u dhanë partive politike hapësirë për të përcjellë mesazhin e tyre. Transmetuesi shtetëror i përmbushi detyrimet ligjore dhe i kushtoi kohë falas të gjitha partive politike.
- Kolegji Zgjedhor i shqyrtoi në mënyrë të paanshme ankimet gjatë periudhës parazgjedhore, duke u dhënë atyre zgjidhje efikase në kohë.
- Për herë të parë dispozitat e reja ligjore përcaktojnë kuota për prezantimin e grave si kandidate dhe anëtare të komisioneve zgjedhore të nivelit të mesëm.
- Në zgjedhje morën pjesë një numër partish që përfaqësonin pakicat kombëtare. Këto parti u përfaqësuan në shumicën e koalicioneve zgjedhore.
- Funksionimi i KQZ në mënyrë të hapur, si edhe akreditimi i një numri të madh vëzhguesish vendorë, përfshirë vëzhguesit e partive, rriti nivelin e transparencës në këto zgjedhje.
Aspektet negative të procesit zgjedhor
- Anëtarët e KQZ mbajtën qëndrime të ndryshme për shumicën e çështjeve të kontestueshme. Në të shpesh u votua në bazë të përkatësisë partiake. Përfaqësuesit e dy partive kryesore në KQZ bënë shpesh deklarata politike që e rritën tensionin.
- Mosdorëzimi i informacionit të duhur për përgatitjen logjistike, si edhe moscaktimi i anëtarëve të komisioneve të nivelit më të ulët brenda afateve ligjore ndikuan në mënyrë negative në punën e KQZ. Kjo gjë çoi, jo vetëm në ngritjen me vonesë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe të Komisioneve të Qendrave të Votimit, por edhe në probleme për t’i trajnuar të gjithë anëtarët e komisioneve.
- Pati polemika, pasi shumë njësi të qeverisjes vendore, ose nuk caktuan hapësira publike për afishimin e posterave të fushatës, ose nuk i informuan partitë se ku gjendeshin ato.
- Ministria e Brendshme shpesh nxori shifra në dukje kontradiktore për ecurinë e procesit të aplikimit për kartat e identitetit, gjë e cila e uli besimin e publikut në saktësinë e informacionit të dhënë nga qeveria duke nxitur aludimet.
- Transmetuesit që u monitoruan ishin të njëanshëm në pasqyrimin e partive kryesore dhe dhanë një pasqyrim të kufizuar të konkurrentëve të tjerë. Shumicës së organeve të medias, në mënyrë të veçantë transmetuesve televizivë, u mungoi pavarësia editoriale, si edhe transparenca në lidhje me pronësinë e tyre.
- Disa herë Bordi Monitorues i Medias (BMM) dha vlerësime që treguan mungesën e pavarësisë dhe përdori një metodologji të pamjaftueshme për të kryer detyrat e saj, ashtu siç parashikohen në Kodin Zgjedhor. Në përgjithësi, BMM nuk propozoi masa kompensuese, të cilat do t’u jepnin partive “më të vogla” atë kohë transmetimi që u përket sipas Kodit Zgjedhor.
- Boshllëqe në dispozitat ligjore për të siguruar përfaqësimin e grave si kandidate krijuan mundësi për ta anashkaluar qëllimin, duke e ulur ndikimin e dispozitave.
- Shqetësim serioz ishte mungesa e transparencës për financimin e fushatës zgjedhore.
Rastet e presioneve të qeverisë mbi administratën
- Punonjësve të Bashkisë së Peqinit (qarku i Elbasanit) u është kërkuar nga drejtuesit e tyre të marrin pjesë në një miting të PD më 9 qershor.
- Në një shkollë në qarkun e Tiranës, drejtori i shkollës ka kërcënuar se mësuesit do të hiqeshin nga puna, nëse nuk votonin për PD. Ai u kërkoi mësuesve të fotografonin fletët e tyre të votimit.
- Në qarkun e Fierit, një punonjës i sektorit publik që mori pjesë në një aktivitet me një zyrtar të lartë të PS u kërcënua se do hiqej nga puna.
- Një punonjës i sektorit publik në Kavajë (qarku i Tiranës) u paralajmërua së vendi i tij i punës do rrezikohej, nëse ai do të përfshihej shumë hapur me Partinë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut.
- Studentëve të universitetit u është bërë presion se do ngelnin në provime, nëse nuk merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD.