E Diel, 1 Nëntor 2026

Panela: “Mbështes grevistët, kauza kërkon transparencë”

Në ditën e 11-të dërgohen në spital për të marrë ndihmën e shpejtë pesë grevistë

Kryetari i Partisë Radikale në Itali, ish-anëtar i Parlamentit Europian, Marko Panela, vizitoi dje kampin e grevistëve të vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Panela tha se mbështeste protestën dhe solidarizohej me grevistët, ndërsa në dorë mbante një lule në simbolin e paqes. “Është një kauzë që kërkon transparencë”, - nënvizoi Panela. Duke shfaqur admirimin e tij për grevistët, të cilët janë të vendosur ta çojnë deri në fund kauzën e tyre, Panela tha se edhe në Itali veprohej kështu për votën.

Hysi: “Grevistët, të vendosur derisa të realizohet transparenca e zgjedhjeve”

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, deklaroi se grevistët janë të vendosur për ta çuar përpara kauzën e tyre. Ajo konfirmoi se gjendja shëndetësore e tyre është agravuar shumë. Sipas saj, por edhe sipas mjekëve, grevistët kanë dhimbje koke e stomaku dhe luhatje tensioni. “Pjesa më e madhe e grevistëve qëndrojnë të shtrirë, ndërkohë që mjekët këshillojnë të lëvizin”, - tha Hysi. Deputetja Hysi informoi dhe për gjendjen shëndetësore të grevistëve, të cilët kanë ndërprerë grevën dhe aktualisht ndodhen në kujdesin mjekësor në QSUT. Sipas saj, grevistët janë nën kontroll mjekësor dhe shëndeti i tyre ka ardhur duke u stabilizuar. Hysi bëri me dije se grevistët kanë shfaqur dëshirën për t’iu rikthyer grevës.

Xhuvani: “Qeveria të mos qëndrojë indiferente ndaj kërkesës së opozitës”

Deputetja socialiste, Luiza Xhuvani, i bëri dje thirrje qeverisë të mos qëndrojë indiferente ndaj kërkesave të opozitës, por të veprojë sa më shpejt përpara se gjendja të përkeqësohet. “Të përballesh me indiferencën që i bën pushteti kësaj sakrifice, për mua nuk është njerëzore. I bëj thirrje pushtetit të mos fshihet pas gjykatave, por të veprojë sa më shpejt sa nuk është agravuar më tepër gjendja”, - u shpreh Xhuvani. Deputetja socialiste i konsideroi të papërgjegjshme deklaratat e djeshme të kreut të qeverisë, i cili i bëri thirrje opozitës t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për të marrë përgjigje mbi kërkesat e tyre. “Deklaratat e Berishës janë të papërgjegjshme. Aksioni politik do të përshkallëzohet në të gjithë vendin dhe, nëse do të jetë e domosdoshme për t’u bashkuar me grevistët, do të jemi gati. Aksioni do të vazhdojë derisa të marrim reagimin e duhur për këtë grevë”, - tha Xhuvani.

Minatorët protestojnë përpara TVSH-së dhe Kryeministrisë për të drejtat e tyre

Minatorët kanë manifestuar dje në Tiranë në mbështetje të grevës së urisë së deputetëve dhe militantëve socialistë. Minatorët kanë protestuar me pankarta në duar përpara Televizionit Shqiptar dhe janë ndalur para Kryeministrisë duke qëndruar të ulur në rrugë. Ata kanë protestuar për statusin, moshën e daljes në pension dhe minimumin jetik. Pak minuta pasi minatorët bllokuan rrugën të ulur, ka ndërhyrë policia e rendit që i ka larguar me forcë ata. Për pak minuta është bllokuar edhe lëvizja e mjeteve.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›