E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva, rendohet gjendja, deputeti Besnik Bare perfundon ne spital

Në ditën e 11-të dërgohen në spital për të marrë ndihmën e shpejtë pesë grevistë

Kalimi i ditëve shoqërohet me një përkeqësim më tepër të gjendjes shëndetësore të grevistëve në çadrat përpara Kryeministrisë. Vetëm dje, në ditën e 11-të, kanë lënë grevën pesë grevistë. Ata janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e shpejtë mjekësore. Duke u bazuar edhe në të dhënat e mjekëve, shqetësimet që grevistët ndiejnë në ditën e 11-të të grevës së urisë janë dhimbje muskulore, ulje tensioni, marrje mendsh, dhimbje në stomak etj.
Rastet
Deputeti grevist Besnik Bare ka lënë dje grevën në orwn 13:30, për t’u dërguar menjëherë me autoambulancë në spital për të marrë ndihmë urgjente. Në orët e pasdites një tjetër grevist është dërguar në spital. Bëhet fjalë për Andi Hajdarin, një 22-vjeçar nga Tirana. Largimi i tij nga tenda e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e çon në 20 numrin e grevistëve që shtrohen në spital. Gjendja e tij ka qenë e rëndë që paraditen e djeshme, ku dhimbjet akute në stomak e kanë bërë të papërballueshme grevën për të. Ai është dërguar menjëherë drejt Qendrës Spitalore Universitare. Bujar Neziri, djaloshi 25-vjeçar dhe Lekë Njeza janë dy grevistë që e kanë lënë grevën në orët e mesditës. Ata janë transportuar me autoambulancë në Pavijonin Infektiv të QSUT-së për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Pak minuta pas mesnatës së djeshme një grevist është shoqëruar me urgjencë në spital për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar, duke shënuar edhe daljen e grevistit të parë për ditën e djeshme. Saimir Gura, nga qyteti i Shkodrës, është shoqëruar në spital nga deputeti socialist Fatmir Toçi.
Urgjenca
Autoambulancat dhe mjekët, për t’u ardhur në ndihmë grevistëve që hasin probleme shëndetësore nga mungesa e ushqimit, janë 24 orë në gatishmëri të plotë. Në terren, përballë çadrave, ndodhen tri autoambulanca, tre mjekë dhe tre infermierë, të cilët ndërrohen me turne. Në gatishmëri janë edhe mjekë specialistë, si kardiologë, endokrinologë etj. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka pohuar se strukturat që ai drejton janë në gatishmëri 24 orë për t’u ardhur në ndihmë grevistëve opozitarë, por ka theksuar se nuk mund të japë ndonjë informacion për kushtet e grevistëve, pasi nuk shërbejnë në ambientet e brendshme të grevës. “Nuk kemi informacione për kushtet e grevistëve, pasi komunikojmë vetëm me organizatorët e kësaj greve. Shërbimi ynë kryhet vetëm në terren, dhe jo në ambientet e brendshme”, – ka deklaruar Vasili. Ministri Vasili thekson se shërbimi brenda çadrave bëhet nga vetë Partia Socialiste, por strukturat që ai drejton janë të gatshme të ndërhyjnë sa herë që u kërkohet. “Strukturat tona janë në gatishmëri 24 orë për t’iu gjendur pranë grevistëve, por aktualisht shërbimi brenda çadrave bëhet nga PS-ja”, – është shprehur Vasili.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›