E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, ulen çmimet e produkteve ushqimore në maj



Muaji maj ka zbritur çmimet e produkteve ushqimore, por më tepër ulja është ndjerë tek zarzavatet. INSTAT publikoi dje të dhënat e fundit, ku rezulton se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin maj 2009, arriti 103.1 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.8 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor në muajin maj është 2.1 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 4.2 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 1.9 për qind, me një ndikim prej – 0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 11.9 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të specave me 34.2 për qind, domateve me 26.6 për qind, patëllxhanëve me 22.1 për qind, kastravecëve me 12.4 për qind, qepëve të njoma me 7.9 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të dardhëve me 9.1 për qind, limonëve me 3.9 për qind, bananeve me 1.4 për qind etj. Çmimet e disa frutave të tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji, ku mund të veçojmë uljet e çmimit të portokalleve me 1.6 për qind, kivit me 1.8 për qind, mollëve me 0.8 për qind etj. Gjatë muajit maj, çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet “vajra dhe yndyra” 1.4 për qind, “peshk” 0.8 për qind, “qumësht, djathë e vezë” 0.4 për qind, “bukë e drithëra” 0.3 për qind etj. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” nuk ka ndryshuar gjatë këtij muaji, por brenda tij çmimet e veshjeve u ulën me 0.1 për qind, ndërsa çmimet e këpucëve u rritën me 0.3 për qind. Indeksi i grupit “transport” shënoi një rritje prej 0.4 për qind. Gjatë muajit maj, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.6 për qind dhe çmimi i benzinës 2.5 për qind. Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.4 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimeve të shërbimeve mjekësore me 1.1 për qind. Indeksi i grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një ulje prej 0.2 për qind, ku mund të veçojmë uljen e çmimit të lëndës djegëse prej 0.5 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga -0.5 për qind në + 0.2 për qind

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›