E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i naftës, pas dy javësh ulet realisht me 5 lekë në treg



Me disa javë vonesë nga bursat, rënia e çmimit të karburanteve është pasqyruar edhe në vendin tonë, ku nafta dhe benzina janë shitur me 5 lekë më pak. Tendenca në rënie e çmimit të arit të zi në bursa është reflektuar disa javë më vonesë në tregun tonë të karburanteve. Nga ana tjetër, çmimi i naftës në botë vazhdon të pësojë rënie të ndjeshme, ndërkohë që në Shqipëri rëniet janë fare modeste. Që prej fillimit të muajit gusht çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar ulje të ndjeshme. Kështu, në muajin korrik çmimi i arit të zi theu rekordin, ku një fuçi naftë u kuotua me 147.27 për dollarë. Ndërsa tani një fuçi naftë shitet me 113 dollarë për fuçi, një ulje kjo e konsiderueshme. E teksa çmimi vijon të ulet, kjo shënon edhe dyshemenë e kapur për periudhën tremujore të verës. Maqedonia, fqinjë me Shqipërinë, i është përgjigjur menjëherë tregut ndërkombëtar. Por në atë vendas çmimi i karburanteve është ulur vetëm më 5 lekë për litër. Në pikat e pakicës në kryeqytet një litër naftë e tipit diesel shitet me 155 lekë për litër, nga 165 që ishte disa ditë më parë. Ndërsa çmimi i eurodiezelit varion nga 160 në 162 lekë për litër, nga 172 lekë për litër që shitej disa ditë më parë. Ndërsa çmimi i benzinës është 155 lekë litri. Sipas tregtarëve, dy janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës në treg, së pari janë detyrimet fiskale dhe, i dyti, është faktori ndërkombëtar. Por edhe pse çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pasur ulje të ndjeshme në tregun vendas, kjo ulje është modeste. E kundërta ndodh kur çmimi i karburanteve në bursa pëson rritje. Në këtë rast importuesit nuk ngurrojnë të rrisin brenda pak ditëve çmimin e karburanteve në vend. Por pavarësisht çmimit të karburanteve, kërkesa për këto produkte sa vjen dhe është më e lartë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se sasia e karburanteve të zhdoganuara është rritur nga viti në vit. Deri në korrik kjo shifër arriti në 214 mijë tonë. Të dhënat tregojnë se shqiptarët nuk heqin dorë nga përdorimi i automjeteve, cilado qoftë fatura financiare që u duhet të paguajnë për karburantin.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›