E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subvencioni për fermerët, kriteret për të përfituar nga fondi i qeverisë



Ministria e Bujqësisë bën të ditur se subvencion kanë përfituar fermerët që janë shpallur fitues nga komisionet përkatëse përsa i përket plotësimit të kritereve bazë që lidhen me rritjen e prodhimit në sektorë prioritarë si vreshtari, përpunim ulliri, blegtori etj. Sipas MBUMK-së, fondi ka kaluar drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit në banka dhe më pas në llogarinë e fermerëve. Procedurat e aplikimit për subvencionim nisën në fillim të këtij viti dhe përfshinë 12 qarqe të vendit. Një nga kriteret bazë për përfitimin e mbështetjes financiare është konkurrimi me projekte të realizuara në sektorët e përfshirë në subvencionim, si në bujqësi, zhvillimin e vreshtarisë, prodhimin e qumështit, përpunimin e tij, përpunimin e ullirit, rritjen e krerëve në blegtori, prodhim sere, etj. Projekti “2KR” ka shpërndarë deri tani rreth 80 për qind të vlerës nga fondi 10 milionë USD, të akorduar nga buxheti i shtetit 2008, për procesin e subvencionimit të fermerëve që duan të përfitojnë mbështetje për zhvillimin e aktivitetit të tyre bujqësor, blegtoral dhe agroushqimor. Ndërkohë, procesi i likuidimit të fermerëve parashikohet të vazhdojë deri në fund të këtij viti. Sipas MBUMK-së, për skemën "rritja e sipërfaqeve me ullishta, vreshta e pemëtore", skema më e madhe e këtij projekti, aplikuan mbi 3000 fermerë, prej të cilëve kanë fituar 2500 veta.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›