E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Thelluat varfërinë midis fshatit e qytetit



Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria ka bërë hapa para, por edhe prapa, në rrugën e zhvillimit të vet ekonomik e social. Ky konstatim shprehet në raportin vjetor të FMN-së “Country Report 2008”, kushtuar analizës së luftës kundër varfërisë dhe gjendjes së ekonomisë shqiptare në përgjithësi, publikuar në Uashington nga ekspertët e Fondit. Pozitiv është fakti, theksojnë hartuesit e këtij raporti, që Shqipëria shënon rritje të qëndrueshme ekonomike, pavarësisht nga një krizë pa precedent në fushën e energjetikës. Përveç kësaj, në vendin tonë ata konstatojnë edhe një rënie në nivelin e varfërisë. Në rast se në vitin 2002, rreth 25 për qind e popullsisë së vendit ndodhej nën nivelin e varfërisë, në vitin 2005 kishte një korrigjim të ndjeshëm, duke arritur në nivelin 18.5%. Duke qenë se analiza e varfërisë kërkon shumë kohë në dispozicion, këto kanë qenë shifrat më të freskëta, që kanë mundur të sigurojnë përfaqësuesit e FMN-së, kur kanë vizituar vendin tonë. Ndërkohë, për sa u përket treguesve makroekonomikë të vitit 2007, ata veçojnë faktin që borxhi publik është arritur të ulet, duke kaluar nga 57% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në 54% të tij. Por, në raport shprehen edhe një mori konstatimesh tepër kritike. Kështu, sipas FMN-së, hendeku në nivelin e jetesës midis zonave urbane dhe atyre rurale është thelluar më tej, në dëm të këtyre të fundit. Kjo, sipas ekspertëve, ka ardhur si pasojë e rendimentit të ulët të punës së familjeve fshatare në bujqësi. Një vërejtje e fuqishme, lidhur me shpenzimet e kryera me fonde të Buxhetit të Shtetit vitin e kaluar, vjen në adresë të vëmendjes së qeverisë shqiptare lidhur me investimet në arsim dhe shëndetësi. Në këto dy sektorë tepër të rëndësishëm socialë, që ndikojnë direkt në nivelin e jetesës së banorëve, thekson FMN-ja, rritja e shpenzimeve në raport me shpenzimet në total dhe rritjen e PBB-së, është e papërfillshme. Po kështu, Fondi konstaton politika fiskale të rrezikshme qeveritare, si ato që lidhen me përqendrimin e investimeve në rrugë, me projekte tepër ambicioze, të cilat, në të njëjtën kohë, sjellin me vete drejtpërsëdrejti, tejkalimin e nivelit të deficitit fiskal, nga 5.2 për qind, që ishte rënë dakord me institucionet ndërkombëtare, në 7.9 për qind të PBB-së.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›