E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, shkeljet e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve

TIRANË- Njihen si "gardianët" e ligjeve, por rezultojnë të jenë një ndër shkelësit e mëdhenj të tyre. Bëhet fjalë për punonjësit e sistemit të drejtësisë në vend, prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët për shkak të pozitës së tyre imunitare, rezultojnë se kanë refuzuar në jo pak raste dy ligjet, që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit.

Pas raportit vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive që ka mbërritur në Kuvend, është raporti ivestigues i "Watch dog" i përgatitur me mbështetjen financiare të Ambasadës Britanike në Tiranë, ai që konstaton devijime të mëdha të të dhënave pasurore të deklaruara nga kjo kategori nëpunësish me pasuritë reale të tyre.


Raporti


Raporti i tretë i përgatitur nga "Watch dog", në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, përfshin kontrollin e deklarimeve të pasurisë dhe konfliktit të interesit për zyrtarët e sistemit të drejtësisë, konkretisht, gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorëve.

Nga 366 gjykatës në gjykatat e të gjitha shkallëve dhe 280 prokurorë, janë verifikuar 30 prej tyre, ose 5 për qind e numrit total të gjykatësve dhe prokurorëve, që aktualisht janë të emëruar në të gjithë vendin, nga të cilët 25 gjykatës dhe 5 prokurorë.

Një grup ekspertësh të "Watch dog", ka kryer kontrollin ligjor, financiar dhe atë të pasurisë së deklaratave progresive, që nga vitit 2004 e deri në 2008, ku ka konstatuar se ka jo pak raste të fshehjes së pasurisë.

Pra, bëhet fjalë për mosdeklarim garazhesh, trualli dhe apartamentesh. Në këtë raport, evidentohet gjithashtu se një mënyrë tjetër e specializuar e fshehjes së pasurisë së vërtetë prej tyre, është transferimi i pasurive, dhënia e huave, apo deklarimi i dhënies së dhuratave.

"Ky është momenti më i dukshëm i fshehjes së abuzimit të zyrtarëve. Kemi dhurim vilash, apartamentesh, makinash. Deklarime për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë, veçanërisht, nga ata që kanë të afërm emigrantë.

Në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara tek të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai, ose vëllai", - thuhet në këtë raport.


Pasuria


Raporti i paraqitur nga "Watch dog", tenton të japë një panoramë të përafërt të gjendjes ekonomike dhe sociale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëpërmjet verifikimit të deklaratave të tyre pasurisë dhe, konkretisht, për objektet e ndryshme si shtëpi, apartamente, vila apo biznese të ndryshme.

Kështu, rezulton se 17 gjyqtarë nga 25 të vëzhguarit dhe 2 prokurorë nga 5 prokurorët, dy gjyqtarë dhe një prokuror, jetojnë në një apartament dhe një vilë, ndërsa dy gjyqtarë dhe dy prokurorët e tjerë, jetojnë në dy apartamente. Ndërkohë që, përveç tyre rezulton se katër gjyqtarë dhe dy prokurorë, kanë prona dhe biznese private. Interesant është fakti se një gjyqtar ka deklaruar se merr kompensim nga shteti për bukë.

Ndërkaq, një tjetër ka deklaruar edhe një sasi të madhe eurosh të transferuara në llogarinë e tij, e më pas të shkarkuara, pasi i duheshin si garanci për një vizë.

Duke marrë në analizë të gjithë faktorët që janë përfshirë në këtë studim, raporti arrin në përfundimin se pasuria e gjykatësve është, shpeshherë, mbi mundësitë që u jep pagesa mujore, për shkak të detyrës që kryejnë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›