E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportimi në Kuvend, Ina Rama kërkon kufizimin e imunitetit dhe pohon lidhjen e krimit me politikën

Kryeprokurorja kritikohet nga deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve

Eljona Ballhysa
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ndërsa ka raportuar dje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve rreth punës së Prokurorisë gjatë vitit 2009, ka kërkuar nga Kuvendi kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë për akuzat që lidhen me korrupsion dhe shpërdorimin e detyrës. Ina Rama gjithashtu ka pohuar se krimi i organizuar ka mbështetjen e politikës, ndërsa ka refuzuar të komentojë deklaratën e një ambasadori, sipas të cilit, Prokuroria ndodhet nën presionin e politikës. Ina Rama vuri në dukje gjatë fjalës së saj arritjet në përmbushjen e angazhimeve për prioritetet në luftën kundër kriminalitetit, në luftën kundër korrupsionit, trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të trafikimit të qenieve njerëzore. Ndërkaq, deputetët e PD-së kanë kritikuar Prokurorinë e Përgjithshme që nuk ka filluar procedimin për ish-zyrtarë të akuzuar, si dhe mungesën e një hetimi të shpejtë dhe efikas pasi, sipas PD-së, disa kallëzime të depozituara nga Kuvendi apo nga qeveria janë ende pa një përgjigje.
Diskutimi
Në përfundim të fjalës së saj Rama kërkoi vëmendjen e Kuvendit për amendimin e ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë në mënyrë që t’i hapet rruga ndjekjes penale në ato raste ku ka akuza për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Ina Rama gjithashtu kërkoi nga Kuvendi që të shikojë mundësinë ligjore për t’i dhënë të drejtën Prokurorisë së Përgjithshme që të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetues për çështje të caktuara. Ndërsa relatori i çështjes, deputeti demokrat Eduard Halimi, gjatë fjalës së tij kërkoi nga Prokuroria që të perfeksionohet lufta e saj kundër krimit të organizuar, mafies, siç e cilësoi ai, dhe korrupsionit në radhët e administratës lokale dhe asaj qendrore. Ai garantoi se Prokuroria do të ketë mbështetjen e Kuvendit për heqjen e imunitetit sa herë që do të ketë një kërkesë të tillë. “Duhet perfeksionuar lufta kundër krimit. Krimi dhe mafia duhen luftuar me të gjitha mjetet dhe nuk duhen lejuar në asnjë mënyrë që të pengojnë integrimin e vendit. Mesazhi ynë është tolerancë zero kundër krimit të organizuar. Prokuroria ka bërë punë të mirë në luftën kundër korrupsionit, por ende ka nevojë për hetimin e shpejtë dhe efikas të disa kallëzimeve penale të bëra nga Kuvendi që kanë mbetur ende pa përgjigje. Ka përpjekje për pastrim parash që duhen hetuar nga Prokuroria. Prokuroria duhet të rrisë kapacitetet hetuese jo vetëm ndaj zyrtarëve, por edhe ndaj ish-zyrtarëve, dosjet e të cilëve nuk kanë ende një përgjigje. Ne garantojmë se do të pranojmë çdo kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit”, - është shprehur Halimi. Po kështu deputeti demokrat kritikoi Prokurorinë e Përgjithshme për mungesën e dialogimit me institucionet e tjera të pavarura, si me Avokatin e Popullit dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ata kritikuan mungesën, sipas tyre, të procedimit të disa prokurorëve. Halimi kërkoi që Prokuroria të hartojë strategji për largimin e prokurorëve të paaftë dhe të korruptuar.
Pas Halimit reagoi deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i cili u shpreh se opozita distancohet nga relatimi i bërë nga deputeti demokrat, pasi, sipas tij, relatimi nuk është konsultuar me opozitën.
Pyetjet
Më pas Ina Rama u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve. I pari që e ka marrë fjalën ka qenë deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, i cili e pyeti kryeprokuroren për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, duke kërkuar të dijë nëse kjo vrasje ka ardhur si pasojë e detyrës që Xhindi ka pasur duke qenë deputet i PS-së. Rama nuk dha detaje, pasi ligji nuk e lejon që të raportojë për çështje të veçanta, por tha se kjo çështje është prioritet i punës së Prokurorisë. “Nuk mund të jap informacion për çështje të veçanta, nuk mund të them se në ç’pikë ndodhet hetimi për këtë çështje. Por mund t’ju garantoj se Prokuroria është e angazhuar plotësisht për të zbardhur këtë ngjarje”, - është shprehur kryeprokurorja. Tahiri gjithashtu e pyeti Ramën nëse ndihej nën presionin e maxhorancës për të mos dhënë mendimin e saj për projektligje të ndryshme. Rama tha se çdo prokuror është i lirë të japë mendimin e tij për një draft të caktuar. “Nuk mendoj se dikush ka hasur pengesa në këtë pikë. Prokuroria e Përgjithshme ka marrë disa herë pjesë në hartimin e ligjeve të ndryshme”, - ka pohuar kryeprokurorja. Më pas Rama u është përgjigjur pyetjeve të deputetit të PD-së, Fatos Hoxha. Ai i është referuar një interviste që kryeprokurorja ka dhënë për Zërin e Amerikës në vitin 2008 dhe ka thënë që krimi i organizuar është i lidhur me politikën. Në këtë kontekst Hoxha kërkoi të dinte nëse Rama i qëndronte kësaj deklarate. “I qëndroj plotësisht përgjigjes që kam dhënë në intervistën për Zërin e Amerikës në vitin 2008, që nuk është objekt i këtij raportimi, bashkë më definicionet që kam dhënë. Krimi i organizuar bashkëvepron ngushtë me politikën dhe funksionon mbi bazën e mbështetjes politike, dhe kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Europën”, - është shprehur Ina Rama. Më pas ajo është pyetur të komentojë një deklaratë të një ambasadori i huaj në Shqipëri, i cili ka deklaruar se Prokuroria e Përgjithshme ndeshet me presionin politik. Rama ka refuzuar të bëjë komente mbi deklaratën e një ambasadori të respektuar, siç tha ajo.
Në përfundim të seancës së pyetjeve deputetët demokratë dhe ato socialistë kanë debatuar për hartimin e projektrezolutës. Kjo pasi maxhoranca përfshiu në të kritika për punën e Prokurorisë, gjë që s’u pranuan nga opozita. Deputetët e opozitës kërkuan që të shtyhej miratimi i projektrezolutës për në mbledhjen e ardhshme të Komisionit në mënyrë që të hartohej bashkërisht. Por kjo kërkesë u rrëzua nga deputetët e PD-së. Këta të fundit miratuan vetëm me votat e tyre projektrezolutën, ndërsa deputetët e PS-së abstenuan. Përmes kësaj rezolute, Kuvendi kërkon nga Prokuroria rritjen e kapaciteteve investiguese të prokurorëve duke u dhënë prioritet të ndjeshëm çështjeve kryesisht nga ana e tyre, dhe jo përmes kallëzimeve të bëra nga shtetasit. Gjithashtu, në rezolutë, Kuvendi i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të intensifikojë luftën kundër korrupsionit në administratën qendrore dhe lokale, të intensifikojë luftën ndaj pastrimit të parave duke riparë të gjitha dosjet e depozituara nga agjencitë përkatëse. Ndërkohë që Kuvendi angazhohet ta mbështesë Prokurorinë në çdo kërkesë të saj për heqjen e imunitetit të çdo zyrtari me imunitet, për çdo kërkesë që ka lidhje me korrupsionin e pastrimin e parave.

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›