Raporti i Prokurorisë: Gjatë 2009-s janë hetuar 89 të pandehur për korrupsion
Gjatë vitit 2009 Prokuroria ka hetuar 89 persona të pandehur për korrupsion. Raporti i Prokurorisë vlerëson se krahasuar me vitin 2008, në vitin 2009 pati shtatë zyrtarë më shumë, të cilët u morën të pandehur për akuzën e korrupsionit. Nga të dhënat e raportit del se ka pasur rritje të rasteve të korrupsionit që janë denoncuar në 3-mujorin e tretë të vitit 2009. Sipas raportit, gjatë vitit 2009, nga të pandehurit për korrupsion katër prej tyre ishin me arsim 8-vjeçar, 15 me arsim të mesëm dhe 24 të pandehur me arsim të lartë. Në raport thuhet se 25 të pandehur ishin sektori shtetëror dhe vetëm 4 të pandehur për korrupsion ishin nga sektori privat. Hierarkia e këtyre të pandehurve është: 12 nëpunës të nivelit të mesëm, një i nivelit të lartë dhe shtatë nëpunës të thjeshtë. Prokuroria thotë se ka pasur ulje të procedimeve për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas raportit vërehen gjithashtu edhe uljet e rasteve të hetuara për veprën penale "shpërdorimi i detyrës", ndërkohë që janë hetuar gjatë vitit 2009, 26 të pandehur për akuzën e pastrimit të parave me pesë të pandehur më shumë se në vitin 2008.
Gjatë 2009-s janë hetuar katër organizata kriminale
Sipas raportit të kryeprokurores Ina Rama, gjatë vitit 2009 janë hetuar katër organizata kriminale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këto katër organizata kriminale janë akuzuar për kryerjen e krimeve si trafikimi i narkotikeve, rrëmbim personi, vrasje me paramendim dhe vjedhje me dhunë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hetuar gjatë vitit 2009 edhe 17 grupe të strukturuara kriminale, me akuzat për kryerjen e trafikimit të narkotikeve, trafikimin e femrave për prostitucion, vjedhje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim prone me zjarr. Në një analizë lidhur me treguesit mbi gjendjen e kriminalitetit, raporti i Prokurorisë vlerëson se gjatë vitit 2009 ka pasur rritje numri i veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. Ndërkohë ka ulje në numrin e veprave penale kundër jetës dhe shëndetit, ku përfshihen vrasjet, tentativat e vrasjes, plagosja dhe një sërë krimesh të tjera. Prokuroria e Përgjithshme pohon në raport se ka ulje në nivel kombëtar të veprës së kultivimit të bimëve narkotike si pasojë e aksioneve të policisë dhe masave të ashpra të dënimit që janë dhënë për rastet e konstatuara.
Kryeprokurorja kërkon rritjen e fondeve në buxhetin e Prokurorisë
Në raportin e saj, kryeprokurorja ka renditur edhe një sërë kërkesash dhe prioritetesh me qëllim rritjen e efikasitetit të punës kundër krimit. Prokurorja e Përgjithshme kërkon rritjen e fondit në buxhetin e Prokurorisë për të rritur numrin e punonjësve me qëllim plotësimin e organikës së organit të akuzës. Një tjetër kërkesë është amendimi i ligjeve me qëllim kufizimin e imuniteteve për t’u hapur rrugë hetimeve efektive penale për rastet e korrupsionit në detyrë. Kryeprokurorja kërkon amendim në ligj për t’i dhënë mundësinë prokurorit të Përgjithshëm të vendosë në lëvizje kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë për unifikimin e praktikave gjyqësore, si dhe për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështje në juridiksion të saj. Në raport thuhet se Prokuroria kërkon inicimin e një memorandumi bashkëpunimi me Departamentin Antikorrupsion të Qeverisë.
Të dhëna nga raporti
22276 procedime penale
623 procedime të rifilluara
5679 procedime të mosfilluara
89 të pandehur për korrupsion (82 në 2008-n)
303 të pandehur për vepra penale në lidhje me detyrën
26 të pandehur për pastrim parash (21 në 2008-n)
2157 të pandehur për "vjedhje të pasurisë" (2284 në 2008-n)
493 të pandehur për "mashtrim" (334 raste në 2008-n)
77 të pandehur për krime lidhur me taksat e tatimet (58 në 2008-n)
1 procedim penal, për vepra për qëllime terroriste
4 organizata kriminale hetuar nga P.Kr. Rënda
17 grupe të strukturuara kriminale, hetim nga P.Kr.Rënda
54 procedime për "pastrim të produkteve të ardhura nga krimi"
26 Maj 2010