Withers: “Rrëzimi i Kostës, presion politik i PD-së”
Ambasadori amerikan, John Withers, komentoi një ditë më parë rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Withers u shpreh se nga vendimi i PD-së lindin hije dyshimi për presion për përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses. “Disa ditë më parë kandidatura e Vangjel Kostës u rrëzua nga Parlamenti me thuajse një votim qartësisht partiak të njëanshëm. Duhet ta pohoj se ky vendim duket i pakuptueshëm, madje më vuri në dyshime se kjo nuk ndodhi për shkak të kualifikimeve të tij, pasi përvoja dhe aftësitë e tij shkojnë përtej çdo kundërshtimi dhe se qëndrimi i tij si jurist është i nivelit më të lartë, përfshirë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Arsyet që u dhanë për votimin parlamentar dukeshin politikisht shqetësuese”, - është shprehur Withers, ndërsa ngriti disa pikëpyetje për këtë votim dhe i ftoi mediat dhe Gjyqësorin të japin përgjigje. “Mediat dhe Gjyqësori, besoj unë, duhet ta shqyrtojnë këtë vendim të pashpjegueshëm dhe në emër të publikut dhe të vetes të bëjnë këto pyetje: A u bazua ky vendim në arsyetim, apo është një tjetër shembull për të ushtruar presion politik mbi procesin e përzgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese? Arsyet për refuzimin ngjasojnë të çuditshme me kriteret e projektligjit për pastërtinë e figurës që u shpall jokushtetues prej Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Në fakt nuk duhet bërë pyetje lidhur me këtë çështje. A nuk duhet të kërkoni fakte lidhur me gjithçka që ndodhi? Dhe të gjitha këto pyetje ngrenë çështjet lidhur me sundimin e ligjit apo të shtetit ligjor në demokracinë shqiptare. Në fakt nuk më përket mua për pyetjet që ju mund të ngrini ose për pyetjet që unë ju bëra. Por gjyqtarët duhet t’i bëjnë këto pyetje, po kështu duhet të bëjnë edhe gazetarët, sepse ato janë thelbësore në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesit publik për qytetarët shqiptarë”, - theksoi Withers.
Betohen në Presidencë dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese
Dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, bënë dje betimin para Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në ceremoninë zyrtare të rastit ishin të pranishëm kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo dhe anëtarët e tjerë të kësaj gjykate. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të formulës së betimit nga sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, me dorën mbi Kushtetutë anëtarët e rinj bënë betimin para kryetarit të shtetit, i cili, nga ana e tij, dorëzoi dekretin e emërimit dhe u uroi suksese në përmbushjen e misionit të tyre në këtë funksion të lartë e me përgjegjësi në sistemin e Drejtësisë.
26 Maj 2010