E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportuesit e KiE: Politika nuk i ndryshon dot vendimet e gjykatave

Të dërguarit e Këshillit të Europës zhvilluan takimet e radhës në Tiranë me krerët e lartë të shtetit. Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, bashkëraportuesit mësohet të jenë shprehur se vendimet e gjykatave nuk mund të ndryshohen nga politika. Situata paszgjedhore ishte në qendër të bisedimeve të reporterëve Laakso dhe Wilshire me Bamir Topin, Sali Berishën dhe Ilir Metën. "Për sa u përket kërkesave të opozitës në vend për rinumërim, në asnjë rast politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave", citon Kryeministria të jenë shprehur dy raportuesit. Në ditët e tyre të fundit të qëndrimit në Shqipëri, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kanë vendosur notën maksimale zgjedhjeve të 28 qershorit, duke i konsideruar ato një çështje të mbyllur për Shqipërinë.

Takimi me Topin

Statusi i vendit kandidat në Bashkimin Europian ishte çështja kryesore ku Presidenti Topi u ndal gjatë takimit me dy raportuesit Laakso dhe Wilshire. Presidenti Topi vuri në dukje se "tashmë vendi ynë është në pritje të shqyrtimit të kandidaturës për të qenë anëtar i Bashkimit Europian dhe se në këtë pikë ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e rëndësishme që na presin, sfidat e integrimit, për të cilat duhet vullneti dhe angazhimi maksimal i të gjitha forcave politike në vend, po ashtu edhe i shoqërisë shqiptare". Komisionerët europianë, pasi vlerësuan lart rolin e rëndësishëm dhe moderator të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe ligjeve, të pavarësisë së institucioneve dhe në ruajtjen e ekuilibrave politikë në vend, vunë në dukje gjithashtu edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave, përmbushjes së standardeve dhe të përparimit në rrugën e sigurt të realizimit të aspiratave integruese të Shqipërisë për në gjirin e familjes së madhe europiane.

Takimi me Berishën

Kryeministri Berisha garantoi raportuesit për vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Raportuesit i bënë me dije Kryeministrit se, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, vizita e tyre është një vizitë rutinë, për të shprehur gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të ndihmuar dhe për të dhënë mbështetjen e saj për Shqipërinë, për çështje me interes të përbashkët. Në takim u diskutua për situatën paszgjedhore në vend. Kryeministri Berisha u bëri me dije reporterëve të Këshillit të Europës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me infrastrukturën më moderne të teknologjisë së lartë të informacionit, me kuadrin ligjor tërësisht të ri, të hartuar dhe miratuar me konsensus të gjerë mes mazhorancës dhe opozitës.

Takimi me Metën

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë takimit me përfaqësuesit e KiE-s theksoi se "klasa politike do të jetë e aftë të tregojë pjekurinë politike". Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi se përmbushja hap pas hapi e rekomandimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është konsideruar si detyrë e rëndësishme e Shqipërisë dhe institucioneve të saj. Kryediplomati Meta shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat për në BE, si edhe ecuria në procesin e liberalizimit të vizave janë tregues të drejtpërdrejtë të suksesit të reformave institucionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›