E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, gjykata rrëzon komisionin e verifikimit

Komisionet e ngritura nga qeveria, posaçërisht për të shqyrtuar problemet e pronave, po hasin në probleme serioze. Pa mbushur as një vit nga ngritja e tyre, po shfaqet "pafuqia" e tyre, duke mbetur vetëm në kuadër të mbledhjes dhe shqyrtimit të pakënaqësive të qytetarëve. Kështu, vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Faktit në Berat ka hedhur poshtë një vendim të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë institucionit të prefektit të Qarkut, duke rrëzuar pretendimin e këtij komisioni për tjetërsimin e një sipërfaqeje toke me anë të falsifikimit. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën "Shqip" Zyra e Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefektit të Qarkut Berat, sipas të cilës ky vendim i Gjykatës së Beratit i është dërguar për apelim Gjykatës së Apelit në Vlorë. Juristja e kësaj zyre, Aida Hazizaj, tregon se dy ditë më parë ajo ka nisur drejt Vlorës dokumentacionin përkatës, që kundërshton vendimin nr. 1324, datë 13 tetor të vitit 2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, i cili ka rrëzuar vendimin nr.3 të këtij komisioni për njohjen pronar të shtetasit Arif Lamaj. Ky i fundit, banor i fshatit Çorrogjafë, të Komunës Tërpan në rrethin e Beratit, ka përfituar nga ligji Nr.7501, gjithsej 27400 metra katrorë tokë bujqësore, si banorë i këtij fshati dhe anëtar i kooperativës bujqësore. Por, disa vjet më vonë, kur ai ka shkuar të paguajë tatimet për tokën në komunë, ka mësuar se nuk ishte pronarë i kësaj toke. E gjithë toka e tij figuronte në emër të vëllait, Nuredin Lamaj, i cili kishte vite që banonte në lagjen Uznovë të Beratit dhe kishte përfituar tokë në përdorim nga reforma e kësaj NB-je. Arif Lamaj ka gjetur në komunë edhe një deklaratë, të depozituar nga vëllai i tij, ku shkruhej se tokën e përfituar nga komisioni i fshatit ia falte atij. Në këto kushte, ai është detyruar t‘i drejtohet prokurorisë dhe më pas Gjykatës së Beratit, për të fituar të drejtën mbi pronën e tij. Për më shumë se pesë vjet, Arif Lamaj është përpjekur të rifitojë pronën, duke iu drejtuar edhe instancave të larta të shtetit, por nuk ka mundur të përfitojë asgjë. Juristja e Komisionit për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, Hazizaj, tregon se për këtë abuzim janë depozituar pranë Gjykatës së Beratit plot gjashtë çështje gjyqësore, nga të cilat pesë kanë përfunduar me pushim të çështjes dhe e fundit, më 13.10.2009, me gjyqtar, Ibrahim Hoxha, me rrëzim të vendimit nr.3 të KVVTP. Juristja pohon se megjithëse në gjykatë janë depozituar të gjitha dokumentet që vërtetojnë se Nuredin Lamaj nuk ka qenë banor i fshatit Çorrogjaf dhe anëtar i Kooperativës Tërpan, më 1 gusht 1991 dhe se ka përfituar tokë bujqësore në përdorim nga NB-ja e Beratit, gjykata ka vendosur që ai të njihet si pronar i ligjshëm për 27400 metër katrorë tokë bujqësore, që i takon vëllait të tij, Arif Lamaj. Në këto kushte, institucioni i Prefektit të Qarkut Berat, i është drejtuar Apelit të Vlorës për anulimin e këtij vendimi, që sipas KVVTP është katërcipërisht i padrejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›