E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Vrasësi" i Mirit të Xhikes i shkruan Sollakut

19/04/2005  Lavdrim Tufa kërkon largimin e prokurorit të çështjes Olsian Çela

TIRANË – Praktika që deri tani kanë ndjekur të pandehurit, është ajo e largimit të gjyqtarit, duke e akuzuar si të njëanshëm dhe të gjithë trupit gjykues. Por me të pandehurin Lavdërim Tufa, akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës te "Kartodromi" në vitin 2003, ka ndodhur e kundërta. Gati dy javë më parë, i cilësuari si autor i mundshëm i këtyre vrasjeve, Lavdërim Tufa, i ka nisur një shkresë Kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Tashmë është në pritje të përgjigjes, e cila nga ana e prokurorit Olsjan Çela është kthyer negative. Lavdërim Tufa nuk është paraqitur në seancën e djeshme gjyqësore. Ndërsa avokati i tij, Ferdinand Doja ka pritur një përgjigje nga organi i Prokurorisë në lidhje me largimin ose jo të prokurorit të çështjes, Olsjan Çela. Përfaqësuesi i akuzës është kërkuar nga Tufa të japë dorëheqjen. Por vetë Çela nuk e ka parë të arsyeshme të largohet, duke sqaruar se ka zbatuar ligjin dhe asnjëherë nuk e ka paragjykuar procesin. Sipas tij, përfaqësuesi i akuzës e lë çështjen në rast se këtë gjë ia kërkon titullari, duke patur një shkak shumë të fortë. Për këtë rast, Çela e ka quajtur kërkesën e të pandehurit një preteks për të zvarritur sa më shumë procesin. Nga ana e tij, Lavdërim Tufa është i bindur se do të tregojë të vërtetën vetëm nëse përballë do të ketë një tjetër prokuror. I pandehuri Tufa është i bindur se prokurori Olsjan Çela ka mbajtur qëndrim të njëanshëm, përsa i përket akteve të ekspertimit si dhe thirrjes para gjykatës të ekspertëve të huaj. Të gjithë ekspertët, përveç atij të thirrur nga avokati dhe i pandehuri, e kanë nxjerrë Lavdërim Tufën si autor të vetëm të Fatmir Ramës dhe shokëve të tij. Pikërisht është ky fakt i pranuar tashmë, edhe nga gjykata (pra thirrja e ekspertëve të huaj) që ka irrituar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij. Lavdërim Tufa akuzohet për vrasjen e Fatmir Ramës në mars të vitit 2003. Deri tani ekspertiza e njollave të gjakut si dhe kampionet e pështymës nxjerrin si autor të mundshëm Tufën. Para gjykatës janë pyetur ekspertë të laboratorit të policisë shkencore italiane, madje është bërë edhe ballafaqimi me ekspertë të huaj. Seanca e djeshme u shty në pritje të përgjigjes nga Prokuroria e Përgjithshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›