E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rashiqi priti një delegacion të Sindikatave të Zvicrës

Pas një takimi që sot patën në Odën Ekonomike të Kosovës, një delegacion i Sindikatave të Zvicrës të Oberaargau-t, kanë bërë një vizitë pune në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me ministrin e kësaj ministrie, Nenad Rashiq.

Me këtë rast ministri Rashiq, sindikalistët e Zvicrës i ka njoftuar mbi gjendjen socio-ekonomike në Republikën e Kosovës si dhe shkallën e lartë të papunësisë që është prezente në Kosovë që konsiderohet të jetë rreth 40%, ku edhe është faktori kryesor që po e gjeneron varfërinë në vend.

“Fatkeqësisht ne kemi një buxhet modest, por po mundohemi që me aq buxhet sa kemi të ndikojmë në uljen e papunësisë sepse në mesin e shumë sfidave që i ka sot Kosova është edhe sfida e papunësisë si një ndër prioritete e Qeverisë së Kosovës dhe MPMS-së”, ka theksuar Rashiq, transmeton Zyra e Informimit e kesaj ministrie.

Pasi sot ishte edhe dëgjimi i parë në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit të Punës, Ministri Rashiq informoi shkurtazi se pas një pune të vazhdueshme që kanë bërë për miratimin e këtij Projektligji dhe të gjitha atyre sfidave që kanë hasur deri tani në inkorporimin e të gjitha rekomandimeve nga Banka Botërore tani gjendet në Kuvend për miratim ku edhe përmendi rëndësinë e këtij projektligji për qytetarët e Kosovës.

Rashiq lidhur me projektet që ka bërë MPMS-ja për gjenerimin e punësimit deri tani ka përmendur ato projekte që në vazhdim kanë qenë punë e përbashkët si me UNDP, LUX-DEVELOPMENT si dhe projektin e fundit me shumicën e komunave të Kosovës që është një donacion nga Bankën Botërore që në fokus ka realizimin e punëve publike me qëllim të punësimit të një numri të konsiderueshëm punëkërkuesish. “Kemi bërë disa projekte me UNDP, Lux-Development, gjithashtu tani kemi edhe Projektin e Punëve Publike me shumicën e komunave të Kosovës që ka për qëllim punësimin e të rinjve”.

Ministri Rashiq kërkoi edhe njëherë mbështetje të vazhdueshme për zhvillimet ekonomike në Kosovë, si dhe mundësinë e hulumtimit të tregut të punës për punëkërkuesit kosovar dhe shprehu falënderimet e tij për angazhimin e sindikalistëve zviceran dhe në emër të tij dhe qeverisë së Kosovës i ftoi ata të bashkëpunojnë ngushtë për çfarëdo lloj marrëveshje, dialogu apo kontakti që do të ishte në të mirë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në sferën e punës, punësimit dhe çështjeve sociale dhe investimeve ekonomike.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Sindikatave të Zvicrës të Oberaargau-t shprehën vullnetin e tyre për zhvillim të bashkëpunimit shumë të ngushtë me Republikën e Kosovës edhe në të ardhmen, thuhet ne komunikatën e MPMS-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›