E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretari i NATO-s, Rasmusen, presion Berishës për ligjin e SHISH-it



Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, i ka telefonuar kryeministrit Sali Berisha duke i kërkuar atij të tërheqë projektligjin për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Lajmi është bërë i ditur dje nga Televizioni Top-Channel. Sipas tij, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ka kujtuar kryeministrit shqiptar në këtë bisedë telefonike detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Thelbi i bisedës ka qenë se kur Aleanca ka një shqetësim të kësaj natyre, Shqipëria nuk mund ta injorojë atë dhe të vazhdojë me këmbëngulje në rrugën e nisur. Menjëherë pas kësaj telefonate ligji u tërhoq dhe maxhoranca pranoi se do ta konsultonte me partnerët e NATO-s. Ndaj, aktualisht projektligji gjendet në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë, deri në një moment tjetër, kur të marrë edhe mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë.
Kundërshtimi
I pari që reagoi kundër projektligjit për SHISH-in ishte ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers. Gjatë një deklarate për mediat, Withers tha se ligji i ri cenon pavarësinë e SHISH-it, e fut atë nën kontroll politik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë. Ai kërkoi shtyrjen e votimit të këtij ligji dhe pranimin e ekspertizës së huaj. “Është jetike për SHISH-in të jetë profesional, i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet politike. Ne jemi të shqetësuar që ky projektligj i minon këto parime. Për më tepër, ky draft i jep SHISH-it përgjegjësi të tjera brenda vendit, që janë shqetësuese”, - u shpreh Withers. Ambasadori theksoi se Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj, por SHBA-të druajnë se projekti në formën aktuale po e dëmton këtë imazh. “Ne kërkojmë që ekspertë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë rishikimin e gjithanshëm e të plotë të draftit përpara se Parlamenti të ndërmarrë veprime të tjera. Kjo nuk është një çështje vetëm e brendshme e Shqipërisë, por si anëtare e NATO-s, kjo është një çështje me interes ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se tani stabiliteti në Shërbimin Informativ është shumë i rëndësishëm”, - theksoi Withers. Megjithatë, maxhoranca nuk reagoi dhe e futi projektin për diskutim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Në këtë komision ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane. I vetmi ndryshim që iu bë ligjit ishte ndryshimi i pikës “h” të nenit 2 të projektit, ku shkruhej se “SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Pikërisht ky paragraf u hoq dhe u ndryshua pa u prekur pjesa tjetër e projektit. Pas kësaj vjen edhe reagimi i NOS-it, Zyrës së Inteligjencës së NATO-s, që nëpërmjet një letre drejtuar qeverisë shqiptare, kërkon tërheqjen nga drafti dhe fillimin e konsultave me faktorin ndërkombëtar. Pas miratimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare drafti nuk u përshi në axhendën e punimeve të seancave parlamentare duke treguar tërheqjen e maxhorancës nga ky draft. Në një intervistë televizive, ministri i Brendshëm Bujar Nishani bëri të ditur se drafti do të marrë ekspertizën e EURALIUS-it, duke pranuar ofertën e ambasadorit Withers.

Kritikat e ndërkombëtarëve për ligjin e SHISH-it

Pas miratimit nga qeveria të draftit për Shërbimin Informativ Shtetëror, diplomatë dhe drejtues të organizatave të huaja u vunë menjëherë në lëvizje për ndryshimin e disa prej pikave të këtij projektligji. Ndryshimet që u kërkuan të bëhen në projektin e miratuar nga qeveria prekin katër nene të ligjit aktual. Ato kanë të bëjnë me: detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e drejtorit të SHISH-it; me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it; si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere. Kundërshtimet e ndërkombëtarëve nisin që me mandatin 5-vjeçar të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe deri te format e reja të varësisë që propozon projektligji. Ekspertët e huaj që monitorojnë reformën ligjore ngrenë shqetësimin se ky institucion i sigurisë kombëtare rrezik të bjerë në varësi politike. Në projektligjin e ri thuhet se “drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e shërbimit, si dhe i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij”. Në ligjin ekzistues kjo pikë ka qenë e përcaktuar ndryshe. “Drejtori i SHISH-it informon dhe raporton te presidenti i Republikës dhe te kryetari i Këshillit të Ministrave për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar”. Nisur nga ndryshimi i nenit 5, vihet re qartë se shërbimi sekret krijon një varësi direkte nga kryeministri, ku kryetari i Shërbimit Informativ përgjigjet në çdo kohë dhe mënyrë vetëm përpara kryeministrit, duke e sanksionuar kreun e qeverisë, ligjërisht, si eprorin e tij direkt. Por jo vetëm kaq. Në ndryshim nga ligji ekzistues, Shërbimi Informativ Shtetëror ndryshon në mënyrë thelbësore edhe objektin e punës së tij. Në objektin e ri të punës së shërbimit, krahas sigurisë kombëtare, shtohet një nen ku thuhet se: “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike”. Kjo është një pikë, e cila, nëse interpretohet, në çdo rast mund të sjellë në mendje praktikat e dikurshme të funksionit të këtij institucioni; e që, për ekspertët e huaj, juridikisht dhe politikisht, cilësohet si e dyshimtë, sidomos në kontekstin e vënies në varësi politike të shërbimit sekret shqiptar.
Në nenin 5 të ligjit ekzistues thuhet: “Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike, si dhe mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara”. Ne draftin e ri nënvizohet se: “Shërbimi Informativ Shtetëror, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja”. Pikërisht edhe në këtë pikë, ekspertët konstatojnë ndërhyrjen e kreut të qeverisë në misionin kushtetues dhe ligjor të Shërbimit Informativ. Ndërkombëtarët, pasi kanë studiuar draftin e propozuar nga qeveria, kanë nisur bisedimet me propozuesit e këtij projekti për të marrë në konsideratë ndryshimet. Sipas tyre, “amendamentet e propozuara rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe ta vënë atë nën në një ndikim të pastër politik”.
Një tjetër argument që theksohet në konstatimet e para që kanë bërë ekspertët e huaj është edhe fakti se praktikat më të mira në Perëndim kanë bërë të mundur që shërbimet e inteligjencës të jenë sa më të pavarura dhe të ruhen raportet mes tyre, institucioneve të tjera kushtetuese dhe politikës. Reformat që janë bërë në Shërbimin Informativ Shtetëror kanë një kosto të madhe financiare, pjesën më të madhe të së cilës e kanë përballuar donatorët. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe vendet anëtare, të përfaqësuara me misione diplomatike në Shqipëri, i kërkojnë Tiranës zyrtare të respektohen standardet edhe në ndryshimet që do të bëhen në funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›