Rasmussen, Berishës: Marrëveshje me OKB-në për klimën
Danimarka kërkoi dje angazhimin e Shqipërisë për arritjen e një marrëveshjeje ambicioze për klimën në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike që do të organizohet në Kopenhagen, (dhjetor 2009). Në një mesazh urimi dërguar dje Kryeministrit Sali Berisha me rastin e rizgjedhjes në detyrë, Kryeministri i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, siguron për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Danimarkës. "Arritja e një marrëveshjeje ambicioze për klimën në Kopenhagen, në muajin dhjetor, është prioriteti kryesor i politikës së jashtme të Danimarkës. Kjo është një sfidë e vështirë, por ne jemi të vendosur të punojnë drejt këtij qëllimi. Angazhimi në nivelet më të larta politike është i një rëndësie të veçantë. Ndaj, unë pres me shumë padurim të bashkëpunoj me Ju dhe t’Ju takoj në COP 15 (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike), në Kopenhagen", - thuhet në mesazhin e Kryeministrit danez.